35.5 C
Tirana
29 / 07 / 2026

Analiza e The Guardian: Zelensky dhe Netanyahu në Uashington, mes pasigurisë së politikës së Trump

Vizitat e njëpasnjëshme në Uashington të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po konsiderohen si një pasqyrë e ndryshimeve të mëdha në politikën e jashtme amerikane nën administratën e presidentit Donald Trump.

Sipas një analize të publikuar nga The Guardian, të dy liderët mbërritën në Shtëpinë e Bardhë me objektiva të ndryshëm, por me të njëjtën sfidë: të sigurojnë mbështetjen e një presidenti, vendimet e të cilit shpesh karakterizohen nga paparashikueshmëria.

Analiza vlerëson se pozitat e dy liderëve kanë ndryshuar ndjeshëm muajt e fundit. Netanyahu, i cili më herët gëzonte mbështetje të fortë nga Trump, thuhet se ka humbur ndikim pas përfshirjes së SHBA-së në luftën me Iranin, një ndërhyrje që nuk solli rezultatet e pritura. Sipas artikullit, Izraeli është lënë jashtë disa negociatave të rëndësishme rajonale dhe administrata amerikane ka injoruar qëndrimet e tij në çështje të tilla si shitja e avionëve F-35 Turqisë dhe një marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite.

Në të kundërt, Zelensky paraqitet në një pozicion më të favorshëm. Ukraina ka vazhduar rezistencën ndaj Rusisë, pavarësisht uljes së ndihmës ushtarake amerikane, ndërsa është bërë një nga liderët botërorë në përdorimin e dronëve në luftë. Analiza thekson se edhe disa figura të krahut konservator amerikan, të afërta me lëvizjen MAGA, kanë shfaqur së fundmi një qasje më pozitive ndaj presidentit ukrainas.

Megjithatë, analiza nënvizon se asnjëri prej liderëve nuk mund të jetë i sigurt për mënyrën se si do të pritet nga Trump. Ndryshe nga administratat e mëparshme amerikane, ku Izraeli dhe Ukraina konsideroheshin aleatë të padiskutueshëm, administrata aktuale karakterizohet nga vendimmarrje të shpejta dhe të paparashikueshme.

Sipas analizës, Zelensky synon të bindë Trump të mbështesë një projektligj për sanksione të reja ndaj Rusisë, ndërsa është i vetëdijshëm se rikthimi i ndihmës së gjerë ushtarake amerikane nuk pritet në të ardhmen e afërt. Ndërkohë, edhe pse Netanyahu përballet me marrëdhënie më të ftohta me administratën amerikane, SHBA-ja vazhdon të mbetet e angazhuar fuqishëm për mbrojtjen e Izraelit.

Pavarësisht rrugëve të ndryshme politike të dy liderëve, ata ndajnë të njëjtin shqetësim: marrëdhënia me administratën Trump mund të ndryshojë brenda pak çastesh, pa paralajmërim dhe pa arsye të qarta.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x