Kërkesat e të rinjve shqiptarë për t’u larguar nga vendi janë shtuar shumë kohët e fundit.
Por ka edhe të rinj nga vende të ndryshme të botës të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar.
Maria është 27 vjeçe, e lindur në Pensilvani. Ajo ka vendosur të jetojë dhe punojë në Shqipëri.
Prej 3 vitesh Maria ka ardhur në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Sarandë, por këtë verë u vendos në Shkodër, qytet me të cilin u dashurua shpejt.
“Shkodra më pëlqen shumë. Koha e mirë, dielli, temperaturat që dhe në dimër janë jo shumë të ulëta, ndryshe nga vendi ku vij unë që është shumë ftohtë. Ushqimi këtu është perfekt. Çmimet nuk janë të shtrenjta dhe mund të jetosh lirisht këtu. Njerëzit janë miqësor dhe të ndihmojnë. Shkodra është shumë e bukur,” – tha ajo.
Maria jeton vetëm në Shkodër në një ambient të marrë me qira. Dashuria që kanë shkodranët për qytetin i bën përshtypje.
“Kam marrë një banesë me qira që nuk ishte shumë e shtrenjtë. Kam mësuar rreth ëndrrës amerikane që ju keni këtu dhe nuk me bën habi, por sërish mua më pëlqen këtu. Shkodra është një aventurë shumë e bukur. Ajo që më bën përshtypje është që banorët janë shumë të lumtur që janë shkodran ndryshe nga sa ndodhte në Sarandë ku njerëzit ishin të zymtë dhe jo krenar për vendlindjen e tyre,” – u shpreh ajo.
Mungesën e shoqërisë e ka zëvendësuar me pasionin që ka për fotot. Gjithmonë me vetë ka aparatin fotografik.
“Unë punoj online, kam një website-n tim në të cilin jap këshilla për udhëtime. Më pëlqen puna që bëj pasi është gjithmonë në lëvizje dhe gjithashtu fitoj mjaftueshëm për të përballuar jetesën në Shkodër, por jo në Amerikë. Pjesa e parë e ditës merrem me veten ndërsa në pjesën e dytë më shumë me punën pasi jam më produktive. Pasioni im janë fotot,” – tregoi Maria.
Gjuha shqipe është e vështirë thotë ajo, por disa fjalë ka rritur t’i mësojë. Qëndrimi në Shqipëri ka dhe problematikat e veta. Për Marian mungesa e lejes së qëndrimit e penalizon disi.