15.5 C
Tirana
03 / 03 / 2026

Ahmad Vahidi emërohet kreu i Gardës Revolucionare iraniane, zyrtari i lartë i sanksionuar dhe i kërkuar nga Interpoli merr drejtimin pas vdekjes së Pakpour

Zyrtari i lartë ushtarak iranian Ahmad Vahidi është emëruar në krye të Islamic Revolutionary Guard Corps (Garda Revolucionare), pas vdekjes së komandantit të mëparshëm, Mohammad Pakpour, i cili humbi jetën të shtunën (28 shkurt) gjatë sulmeve izraelite dhe amerikane.

Vahidi, i lindur më 27 qershor 1958, ka shërbyer më herët si drejtues i njësisë së jashtme elitare të Gardës, Quds Force. Ai është një figurë e debatueshme në arenën ndërkombëtare, pasi akuzohet për përfshirje në sulmet me bomba ndaj ambasadës izraelite dhe qendrës hebraike AMIA në Argjentinë në vitet 1990.

Në vitin 1992, një shpërthim në ambasadën izraelite në Buenos Aires la 29 të vdekur. Dy vite më vonë, një kamion i mbushur me eksploziv u përplas në qendrën komunitare AMIA, duke vrarë 85 persona dhe plagosur rreth 300 të tjerë. Argjentina dhe Izraeli kanë akuzuar prej kohësh Hezbollah për kryerjen e sulmit ndaj AMIA me mbështetjen e Iranit.

Në vitin 2024, një gjykatë argjentinase fajësoi zyrtarisht Iranin për sulmin, duke e cilësuar vendin si “shtet terrorist”. Vahidi është në listën e kërkimit të Interpol që nga viti 2007 për rolin e tij të dyshuar në këto sulme. Pas vendimit të gjykatës, Argjentina ka ripërtërirë kërkesën për arrestimin e tij.

Përveç karrierës ushtarake, Vahidi ka shërbyer edhe si ministër i Brendshëm i Iranit nga viti 2021 deri në vitin 2024.

Paraardhësi i tij, Mohammad Pakpour, kishte një rol kyç në operacionet rajonale të Iranit dhe në zhvillimin e programeve raketore. Ai kishte marrë drejtimin e Gardës Revolucionare në qershor, pas vdekjes së komandantit të mëparshëm gjatë një lufte 12-ditore.

Emërimi i Vahidit në krye të Gardës Revolucionare pritet të shtojë tensionet me Perëndimin, për shkak të akuzave të vjetra dhe rolit të tij në strukturat më të fuqishme ushtarake të Iranit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x