Nga Enver Robelli
24 orë pandërprerë shajnë çdo vlerë të kombit shqiptar, bëjnë thirrje për hakmarrje ndaj popujve të tjerë, i quajnë të ndyra kombet mike të Kosovës, vajtojnë pse Perandoria Osmane nuk erdhi në viset shqiptare para vitit 1389, pështyjnë figurën e Skënderbeut, shkojnë nëpër xhami në Zvicër jo për t’u falur me dinjitet, por për t’u krekosur se pranuan dhuratë një veturë në vlerë 100 mijë euro dhe një orë Rolex (gjoja për ndërtimin e një xhamie), njëkohësisht shtiren si modestë, i quajnë gjakpirës popuj të tërë duke refuzuar të mësojnë kompleksitetin e konflikteve etnike, paushallizojnë pa asnjë ngurrim a prag etik, frikësojnë njerëz labilë se nëse nuk bartin shami janë “njerëz mëkatarë”, kur populli zviceran ndalon burkën antinjerëzore, thonë “nuk jemi të kënaqur”, postojnë orë e çast paçavura shkrimore duke lozur rolin e viktimës ose duke u hequr si të hapur, ftojnë në Zvicër imamë zhurmaxhinj të cilët keqpërdorin fenë për agjenda ideologjike, nëpërmjet të cilave mallkojnë civilizimin perëndimor, por s’përtojnë të shkojnë edhe në fshatin e fundit zviceran a gjerman, ku shohin një mundësi për të zhvatur ndonjë frang a euro dhe mbajtur ligjërata ku predikohet izolimi, mbyllja, veçimi nga bota përreth dhe identifikimi me ymetin abstrakt global mysliman. Brohoritjet për marshin e madh të “islamit global” jehojnë nëpër salla zvicerane, kuptohet me fëmijë të mbuluar që ende nuk e kanë mësuar alfabetin.
Ka edhe shumë e shumë anomali të tjera, të cilat do të dalin në sipërfaqe në të ardhmen.
Kjo çfarë po ndodh në disa shtresa të mërgatës nuk ka të bëjë me besim. Ka të bëjë me agjenda politike që inspirohen nga qarqe jashtëshqiptare. Andaj imamët që po u vjen mërzi të jenë shqiptarë, kanë nisur ta ndryshojnë edhe gjuhën, sepse shqiptarinë e shohin si ngarkesë dhe Perëndimin vetëm si areal përfitimi.
I drejtohen njëri-tjetrit me “efendi” e “shejh”, toponimin Turqi nuk e përdorin, por Turkije, se mendojnë që ndokush në Turqi ua shkruan këtë si vepër të madhe (e nuk e kuptojnë që shumica e turqve vetëm mund të tallen me këtë servilizëm të paparë).
Ndërkohë, mes më të dobtëve, nxënësit shqiptarë në Zvicër janë më të dobëtit. Në pothuaj çdo gjimnaz mes 700 nxënësve s’i gjen as 7 shqiptarë.
Ky është rezultati i akulturimit shumëvjeçar, i regresit mental, i papërgjegjësisë së shumë prindërve, i pavendosmërisë identitare dhe premtimeve për parajsë. Çdo premtim përtej bote, kushton. Dhe paguhet: me injorancë.
Ideologët që qëndrojmë pas injorancës nuk përfaqësojnë shumicën, fatmirësisht, por janë një pakicë e rrezikshme. Përveç ideologji fetare, ky është edhe biznes. Dhe kush shtron pyetje kritike për këtë biznes, do të goditet brutalisht nga milicia e sheriatit digjital.
- Heqja e subvencionit të naftës për bujqësinë, Rama: Kemi eliminuar mundësinë që të abuzohet, ishim të detyruar… - 10/04/2026
- Vizitoi Shqipërinë një vit më parë/ Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, merr pasaportën shqiptare - 10/04/2026
- Diplomaci me rrezik të lartë, si u kthye Pakistani në ndërmjetës të bisedimeve SHBA-Iran - 10/04/2026