12.5 C
Tirana
15 / 02 / 2026

BE i përgjigjet SHBA-ve: Nuk ka shuarje të civilizimit në Evropë, përkundrazi

Një zyrtare e lartë e Bashkimit Evropian hodhi poshtë këtë të dielë idenë se Evropa po përballet me “zhdukje të civilizimit”, duke kundërshtuar kritikat ndaj kontinentit nga administrata Trump.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, iu drejtua Konferencës së Sigurisë në Mynih një ditë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Marco Rubio, dha një mesazh disi më qetësues për aleatët evropianë.

Ai mbajti një ton më pak agresiv sesa zëvendëspresidenti JD Vance në të njëjtën mbledhje vitin e kaluar, por ruajti një qëndrim të fortë mbi synimin e Uashingtonit për të riformësuar aleancën transatlantike dhe për të shtyrë përpara prioritetet e tij politike.

Kallas iu referua kritikave në strategjinë e sigurisë kombëtare të SHBA-ve të publikuar në dhjetor, e cila pohonte se stanjacioni ekonomik në Evropë “zbehet përballë perspektivës më të ashpër të zhdukjes civilizuese.”

Dokumenti sugjeronte se Evropa po dobësohej nga politikat e saj të emigracionit, normat e ulëta të lindshmërisë, “censura e fjalës së lirë dhe shtypja e opozitës politike” si dhe “humbja e identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit.”

“Ndryshe nga çfarë thonë disa, Evropa e ‘ëoke’, dekadente, nuk po përballet me zhdukje civilizimi,” tha Kallas në konferencë, citon AP. “Në fakt, njerëzit ende duan të bashkohen me klubin tonë dhe jo vetëm evropianët,” shtoi ajo, duke përmendur se gjatë një vizite në Kanada vitin e kaluar i kishin thënë se shumë njerëz atje kishin interes të bashkoheshin me BE-në.

Kallas hodhi poshtë atë që e quajti “sulme ndaj Evropës.”
“Ne po e shtyjmë njerëzimin përpara, duke u përpjekur të mbrojmë të drejtat e njeriut dhe gjithçka tjetër, gjë që sjell edhe mirëqenie për njerëzit. Prandaj është e vështirë për mua të besoj këto akuza.”

Në fjalimin e tij në konferencë, Rubio tha se fundi i epokës transatlantike “nuk është as qëllimi ynë, as dëshira jonë,” duke shtuar se “shtëpia jonë mund të jetë në hemisferën perëndimore, por ne gjithmonë do të jemi fëmijë i Evropës.”

Ai bëri të qartë se administrata Trump po qëndron e palëkundur në çështje si migracioni, tregtia dhe klima. Zyrtarët evropianë që folën në mbledhje po ashtu theksuan se do të mbrojnë vlerat e tyre, përfshirë qasjen ndaj fjalës së lirë, ndryshimeve klimatike dhe tregtisë së lirë.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha të shtunën se Evropa duhet të mbrojë “shoqëritë e gjalla, të lira dhe të larmishme që përfaqësojmë, duke treguar se njerëzit që duken ndryshe nga njëri-tjetri mund të jetojnë paqësisht së bashku, se kjo nuk është kundër frymës së kohës.”

“Përkundrazi, kjo është ajo që na bën të fortë,” shtoi ai.

Kallas tha se fjalimi i Rubio-s dha një mesazh të rëndësishëm se Amerika dhe Evropa janë dhe do të mbeten të ndërthurura.

“Është gjithashtu e qartë se nuk biem dakord për të gjitha çështjet dhe kjo do të mbetet kështu, por mendoj se mund të punojmë mbi këtë bazë,” tha ajo.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x