14.5 C
Tirana
13 / 02 / 2026

“Duhet të bëhemi më të pavarur dhe të bëjmë më shumë për mbrojtjen”, Von der Leyen: Një Europë e fortë do të thotë një NATO e fortë!

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen deklaroi sot se Europa duhet të bëhet më e pavarur dhe duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj. Në një konferencë nga Mynihu së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, Von der Leyen theksoi se një Europë e fortë do të thotë gjithashtu një NATO e fortë.

“Jam shumë e kënaqur të shoh që këtë herë jemi ftuar së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Mark Rutte është një mik i vjetër i imi që nga kohët e BE-së, i njohur shumë si Kryeministër i Holandës, por që tani është Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Mendoj se kjo simbolizon shumë mirë bashkëpunimin e ngushtë dhe të fortë midis Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Jam gjithashtu shumë e kënaqur të shoh që miqtë tanë amerikanë do të jenë përsëri të pranishëm në Forumin Transatlantik, pasi edhe unë jam një atlantiste e përkushtuar. Për mua, kjo aleancë është shumë e rëndësishme.

Për vite me radhë ka pasur një konsensus ndërpartiak brenda aleancës, por edhe jashtë saj që Europa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen. Dhe kjo është e drejtë. Europa duhet të bëhet më e pavarur dhe të bëjë më shumë për mbrojtjen e saj. Një Europë e fortë do të thotë gjithashtu një NATO e fortë. Dhe kjo është mënyra e të menduarit që kam sjellë brenda Bashkimit Evropian”, deklaroi Presidentja e Komisionit Europian.

Ajo theksoi më tej se gjatë vitit të kaluar është bërë për mbrojtjen në Evropë më shumë se sa në 10 vitet e mëparshme.

“Duke parë buxhetin e fundit për shtatë vjet, janë alokuar 8 miliardë euro për mbrojtjen. Në vitin e fundit kemi mobilizuar 800 miliardë euro për mbrojtjen evropiane për të mbyllur boshllëqet që kemi. Nga këto 800 miliardë, një program është shumë i rëndësishëm për mua: blerja e përbashkët, SAFE – projekte të përbashkëta midis Shteteve Anëtare. SAFE ka 100 miliardë euro të alokuara për këto projekte të përbashkëta për të mbyllur boshllëqet dhe për të forcuar kapacitetin tonë të mbrojtjes”, theksoi Von Der Leyen.

Von der Leyen, Rutte dhe Wadephul më pas morën pjesë në “Forumin Transatlantik” të organizuar nga Kryeministri i Bavarisë dhe udhëheqësi i partisë Unioni Social Kristian (CSU), Markus Soeder.

Liderët u mblodhën në qytetin juglindor gjerman për të marrë pjesë në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih, një takim i profilit të lartë i liderëve botërorë, ministrave të mbrojtjes dhe ekspertëve të sigurisë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x