14.5 C
Tirana
13 / 02 / 2026

A ka moshë dashuria?

Nga Rudina Koromani

Me kalimin e viteve, ndonjëherë ndjehesh sikur shoqëria pret që të plakesh me kalimin e viteve, ndërkohë që shpirti yt refuzon, sidomos kur flasim për dashurinë e dëgjojmë ato përgjigjet “po s’ke moshë për këto gjëra ti”. Madje, ka disa individë që nuk e lejojnë veten e tyre të dashurohen në mosha të mëdha, duke e arsyetuar me argumentin “se s’kanë moshë”. Dhe në momente të tilla të vjen ndërmend pyetja: a ka moshë Dashuria?

Mund të jesh 20 vjeç dhe të duash me thellësi. Mund të jesh 50 dhe të kesh frikë nga intimiteti.

Teksa flasim për dashurinë, ku shpirti dhe zemra na dalin jashtë kontrollit tonë, dashuria nuk ka moshë biologjike, por moshë emocionale. Sa kohë ke dashuri brënda vetes për të dhënë, ke gjithë të drejtën ta kërkosh. Nuk matet me vite, por me pjekuri, me vetëdije, me gatishmëri për të dhënë dhe për të marrë pa kushte.

Dashuria nuk pyet për rrudha apo vite, por pyet: A je i hapur? A je i shëruar mjaftueshëm për të mos e përdorur tjetrin si mbështetje? A di të qëndrosh, jo vetëm të ndihesh?

Në çdo moshë shohim se ndryshon dhe forma me të cilën shfaqet e i qasemi dashurisë:

Të rinj vrapojmë e i besojmë PASIONIT.

Në mesin e jetës bëjmë ZGJEDHJE të vetdijshme.

Në pjekuri dashuria vjen e QETË si BASHKËUDHËTARE.

Dashuria e vërtetë nuk është çështje kohe, por çështje kapaciteti emocional. Koha mund të krijojë afërsi, zakone, vese, kapriço e madje edhe varësi. Por koha nuk garanton thellësi. Ka çifte që rrinë bashkë 20 vite dhe nuk janë takuar kurrë realisht në shpirtërat e tyre….çifte që se kanë njohur kurrë dashurinë. Dhe ka njerëz që brenda pak muajsh krijojnë një lidhje të ndërtuar mbi ndershmëri dhe vetëdije, duke krijuar një lidhje të vërtetë e me thellësi.

Çfarë do të thotë kapacitet emocional?

Të dish të përballosh konfliktin pa u larguar. Të mos e përdorësh tjetrin për të mbushur boshllëqet e tua. Të mos ikësh kur ndihesh i ekspozuar emocionalisht. Të dish të kërkosh falje.

Të dish të qëndrosh.

Dashuria e vërtetë kërkon QETËSI reagimi jo vetëm zemër që rreh fort. Kërkon pjekuri për të duruar jo vetëm pasionin, por edhe realitetin e tjetrit. Sepse në fund, pyetja nuk është: Sa kohë keni bashkë, por sa të lidhur thellësisht jeni.

Dashuria nuk matet me vitet në kalendar… por me thellësinë që arrin të mbash një shpirt tjetër brenda vetes pa e kontrolluar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x