Ibrahim Lici nuk është arrestuar në Turqi, por baza e tij është zbuluar përmes një vajze që mendohet se është e dashura e tij. Gazetari Elton Qyno shkruan se vajza është ndjekur nga dy agjentë të FAST, të cilët në datën 19 tetor 2022 së bashku me policinë turke, kanë bërë një kontroll në banesën ku ajo qëndronte.
Por, Lici nuk është gjetur në këtë shtëpi dhe për këtë arsye nuk është ekzekutuar masa e arrestit për të shumëkërkuarin. Qyno shton më tej në shkrim se Lici ka udhëtuar drejt Turqisë përmes Kosovës, duke përdorur një linjë ajrore dhe udhëtimi është bërë duke përdorur pasaportën e tij shqiptare.
“…është vërtetuar se Ibrahim Lici, në 24 korrik 2021, ka udhëtuar nga Kosova në territorin turk, duke përdorur një linjë ajrore. Në këtë udhëtim, ai ka përdorur pasaportën e tij shqiptare, të nxjerrë në 12 Maj 2021 në Shkodër, pasi kjo vërtetohet nga verifikimi që ka kryer në aeroportin e Stambollit. Agjentët e FAST në Policinë e Shtetit, janë vënë në dijeni të këtij informacioni dhe janë vënë nga pas gjurmëve të Licit,”- shkruhet në artikull, sipas një burimi pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Ibrahim Lici, vijon të qëndrojë i lirë në territorin e shtetit turk, ndërkohë që drejtësia e këtij shteti, kërkoi ndihmë juridike nga pala shqiptare për t’i vënë në dispozicion aktet hetimore të dosjes penale që flet për vrasjen e Endri Mustafës.
Ai akuzohet për “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, konkretisht për vrasjen e Endri Mustafës të ndodhur në 15 Maj 2021 në zonën e “Livadhes” në Shkodër. Për këtë ngjarje është dënuar me 12 vite burgim 15-vjeçari Ergys.M, si person që ka nxjerrë në pritë viktimën natën e krimin.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Shkodrës ka nisur një hetim për shkresën e dërguar nga pala turke që ‘rrodhi’ në media një ditë më parë.
Dokumenti që mban firmën e Olsi Dados, drejtorit të Marëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithme, ka ngritur në këmbë Prokurorinë e Shkodrës, e cila prej dy ditësh ka nisur një hetim administrativo-penal, me qëllim zbulimin e “spiunit” brenda rradhëve të saj.
Dokumenti flet për një praktikë ligjore ndaj Ibrahim Licit të Shkodrës, e cila është nisur në 21 Tetor 2022 nga prokuroria qëndrore në Tiranë, në drejtim të prokurorisë së Shkodrës.
Shkresa përmes së cilës kërkohet nga pala e Drejtësisë Turke, informacion dhe materiale hetimore në ngarkim të Ibrahim Licit, ka mbëritur në Shkodër, ditën e hënë në 24 prill, 2022. Po në këtë ditë, shkresa është sigluar në kryesekretarinë e prokurorisë Shkodër, me numrin hyrës të institucion Nr. 657/2.
Por në rrethana të paqarta, ky dokument i sigluar “Tepër Urgjent”, është fotografuar dhe nxjerrë me shumë urgjencë nga muret e brendshme të prokurorisë, duke ja dërguar përmes aplikacioneve telefonike, palëve të paautorizura, për tu njohur me përmbajtjen e kësaj shkrese.
Për këtë fakt prej dy ditësh në Shkodër është nisur një hetim administrative-Penal, me qëllim zbulimin e personit që ka nxjerrë me shumë urgjencë dokumentin e Zyrës së Marëdhënieve me Jashtë. Sekretare dhe punonjës, të tjerë të kësaj prokurorie janë duke u hetuar dhe për këtë gjë prokuroria është duke verifikuar kamerat e brendshme të institucionit.