15.5 C
Tirana
03 / 02 / 2026

Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë për çështjen Epstein

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë përpara Kongresit amerikan në kuadër të hetimit për Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për krime seksuale që vdiq në burg në vitin 2019.

Vendimi i tyre vjen vetëm pak ditë përpara një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve që mund t’i shpallte ata në përbuzje penale të Kongresit, për shkak të refuzimit të mëparshëm për t’u paraqitur para Komitetit të Mbikëqyrjes, pas një përplasjeje që zgjati me muaj.

Komiteti i Mbikëqyrjes, i drejtuar nga republikanët, e miratoi masën për shpalljen e çiftit Clinton në përbuzje në fund të muajit të kaluar, me mbështetjen edhe të disa demokratëve. Megjithatë, siç shkruan BBC, të hënën në mbrëmje, një zyrtar i afërt me ish-presidentin konfirmoi se çifti do të bashkëpunojë dhe do të paraqitet për të dëshmuar.

Bill Clinton ka pranuar se ka pasur njohje me Epstein dhe se ka udhëtuar me avionin e tij privat në fillim të viteve 2000, por ka mohuar çdo dijeni apo përfshirje në krimet seksuale të këtij të fundit. Ai ka deklaruar se i ka ndërprerë kontaktet me Epstein rreth dy dekada më parë. Deri më tani, asnjë viktimë e abuzimeve të Epstein nuk e ka akuzuar Clinton për ndonjë shkeje të ligjit.

Sipas të dhënave zyrtare, ish-presidenti amerikan ka kryer katër fluturime ndërkombëtare me avionin privat të Epstein në vitet 2002 dhe 2003, ndërsa fotografi të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë e tregojnë atë në pronën e financierit të ndjerë. Përfaqësuesit e Clinton-it kanë theksuar se këto pamje janë të vjetra dhe i përkasin një periudhe para se krimet e Epstein të bëheshin publike.

Çifti Clinton ka deklaruar se tashmë i kanë dorëzuar komitetit deklarata nën betim dhe se kanë ofruar të gjithë informacionin e kufizuar që dispononin lidhur me Epstein. Ata kanë kritikuar drejtuesit e hetimit, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht dhe jo si një përpjekje reale për të zbardhur të vërtetën.

Nga ana e tij, kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, ka deklaruar se askush nuk është mbi ligjin dhe se thirrjet ligjore ndaj Clinton-ëve janë miratuar me votë dypartiake. Ai ka akuzuar ekipin ligjor të ish-presidentit për zvarritje të qëllimshme të procesit.

Dëshmia e dyshes do të shënojë një moment të rrallë në historinë politike amerikane, pasi është hera e parë që një ish-president amerikan pranon të dëshmojë përpara një paneli të Kongresit që nga viti 1983.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x