Raundi i parë i bisedimeve trilaterale mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, i zhvilluar në Abu Dhabi, u mbyll me deklarata formale dhe optimizëm të kujdesshëm, por pa përparim konkret në çështjet më të ndjeshme të konfliktit. Edhe pse palët u ulën për herë të parë pas shumë muajsh në të njëjtën tryezë, Moska mbetet e palëkundur në kërkesën e saj kryesore: kontrollin e plotë mbi rajonin e Donbass-it.
Negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov, deklaroi se gjatë ditës së parë është punuar mbi parametrat për të avancuar drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë e cilësoi takimin si produktiv, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se puna po ecën përpara, duke theksuar megjithatë se për Rusinë mbetet thelbësore zbatimi i asaj që Moska e quan formula e Anchorage-s.
Kjo formulë i referohet marrëveshjeve të arritura verën e kaluar në Alaska, në një periudhë kur presidenti amerikan Donald Trump dukej i gatshëm t’i bënte lëshime të mëdha Kremlinit. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi se bisedimet kanë qenë serioze, por theksoi se dita vendimtare do të jetë ajo e sotmja, ku pritet të kuptohet nëse ekziston realisht hapësirë për kompromis.
Vetë fakti që përfaqësuesit rusë dhe ukrainas ndodhen në të njëjtën dhomë konsiderohet një hap i rëndësishëm diplomatik. Për herë të fundit, një përballje e drejtpërdrejtë mes dy palëve kishte ndodhur në Turqi, në maj të vitit 2025.
Takimet aktuale trilaterale pritet të vazhdojnë të paktën deri në mbrëmjen e sotme dhe janë paraprirë nga një seri konsultimesh intensive. Mes tyre përfshihet samiti mes Zelenskyt dhe Trumpit në Davos, si dhe një takim maratonë katër orësh në Moskë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Josh Gruenbaum.
Megjithatë, kushti i vendosur nga Putini mbetet pengesa kryesore. Moska kërkon që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga pjesët e Donbass-it që ende i kontrollon, rreth 15–20 për qind të territorit të rajonit. Peskov e bëri të qartë se pa përmbushjen e këtij kushti nuk ka kuptim të shpresohet për një marrëveshje afatgjatë. Edhe Zelensky pranoi se çështja territoriale është në qendër të negociatave dhe mbetet pika më e vështirë për t’u zgjidhur.
Pavarësisht deklaratave publike të Trumpit, Zelenskyt dhe madje edhe Putinit, të cilët pretendojnë se shumë nyje janë zgjidhur, realiteti në terren tregon se problemet kryesore mbeten të hapura. Lufta vazhdon me të njëjtin intensitet, ndërsa Ukraina po përballet me krizën më të rëndë energjetike që nga fillimi i konfliktit, si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme ruse mbi infrastrukturën kritike. Miliona qytetarë vazhdojnë të jetojnë në errësirë dhe në të ftohtë.
Nga ana tjetër, prapa skenave po diskutohen edhe zhvillime me rëndësi strategjike. Sipas mediave amerikane, ndërmjetësit e Uashingtonit kanë diskutuar me Putinin perspektivat e bashkëpunimit ekonomik mes SHBA-së dhe Rusisë pas një paqeje të mundshme. Paralelisht, po shqyrtohet një plan amerikan dhe europian për krijimin e një fondi prej 800 miliardë dollarësh për rindërtimin e Ukrainës, me pjesëmarrjen e institucioneve ndërkombëtare dhe investitorëve privatë, që mund të zgjasë deri në vitin 2040.
Zelensky njoftoi gjithashtu se ka siguruar nga Trump një dërgesë të re raketash Patriot për mbrojtjen ajrore, jetike për mbrojtjen e qyteteve ukrainase nga sulmet ruse. Delegacioni ukrainas në Emiratet e Bashkuara Arabe drejtohet nga Rustem Umerov, i shoqëruar nga drejtues të lartë ushtarakë dhe të inteligjencës, ndërsa delegacioni rus udhëhiqet nga Kirill Dmitriev, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të shërbimeve sekrete.
Megjithatë, si analistët ashtu edhe mediat ruse dhe ukrainase theksojnë se delegacionet nuk kanë mandat për të marrë vendime përfundimtare. Fati i negociatave mbetet në duart e liderëve politikë. Për momentin, dialogu vazhdon, por rruga drejt paqes duket ende e gjatë dhe e mbushur me pengesa.
- Mijëra njerëz mbushin rrugët e Karakasit, mbështetësit e Maduros kërkojnë kthimin e presidentit - 24/01/2026
- Samiti trepalësh në Abu Dhabi-Rusia këmbëngul në kontrollin e Donbasit/ Ukraina: Çështja territoriale thelbësore për paqen - 24/01/2026
- Treni ADN prej Anagnostit – poetika e kujtesës dhe kamera e ndërgjegjes - 24/01/2026