Prej orës 10:30 në Kryesinë e Kuvendit po mbahet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Për dy orë me radhë palët diskutuan aspektin procedural se si do zhvillohej mbledhja. PD kërkoi që mbledhja të jetë e hapur për publikun, por PS kundërshtoi me argumentin se duhet ruajtur sekreti hetimor. Edhe vetë SPAK ka kërkuar mbledhje me dyer të mbyllura, kërkesë e artikuluar edhe në mbledhjen e sotme.
Pas 2 orësh diskutime u vendos që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe prokurorët e SPAK lexuan kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk është paraqitur në mbledhje, por ka dërguar avokatin Ardian Kalija. Ky i fundit ka kërkuar që të njihet me provat e SPAK dhe t’i vendoset në dispozicion USB-ja. Edhe Partia Demokratike ka kërkuar që USB-në me prova ta marrin me vete për ta shqyrtuar, por PS kërkon që dokumentacioni të mos dalë nga mbledhja, por të hapet dhe të shqyrtohen brenda në mbledhje. USB-ja është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor.
Në kohën kur po zhvillohej mbledhja, Balluku shkoi në kryeministri për mbledhjen e qeverisë. Ndërkohë, SPAK përfaqësohet nga prokurori i çështjes Dritan Prençi, kreu i ri i SPAK Klodian Braho dhe prokurorja Dorina Bejko.
Ndërkohë, në relacionin e dorëzuar në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, SPAK rendit edhe arsyet se përse kërkon arrestimin e saj. Balluku dyshohet se ka manipuluar 12 tenderë me vlerë 1.2 mld euro, u ka bërë presion dëshmitarëve dhe rrezikon të bëjë krime më të rënda për shkak të personalitetit, renditet në relacionin e SPAK.
Në të shkuarën, Këshillit i janë dashur të paktën 2 mbledhje për të shqyrtuar kërkesën. Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë.
Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit të Ballukut, ndërkohë nuk mori në shqyrtim ankesën për pezullimin nga detyra, për t’i dhënë kohë Kushtetueses për tu shprehur për ankimin e kryeministrit Rama. Gjykata Kushtetuese e ktheu Ballukun në detyrë, deri më shqyrtimin e ankimit të qeverisë, që kërkon zgjidhjen e kompetencave me GJKKO-në.
Balluku është e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe 450 milionë euroshe. Ajo dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të 3 tenderave të tjerë. Bëhet fjalë për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtja e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.
- NE 93-VJETORIN E LINDJES SE AKTORES/ Tinka Kurti, ikonikja e artit skenik shqiptar, aktorja e roleve të mëdha dhe personazheve të pavdekshëm - 19/12/2025
- Avokati i Ballukut dhe PD kërkojnë USB-në me ‘sekretin hetimor’, që është kyçur në kasafortë - 19/12/2025
- “Protesta e frikshme e Gones” – Braçe tallet me partinë “Mundësia” e Shehajn: 90 vetë 2 gërneta dhe pema - 19/12/2025