Sot Partia Demokratike zhvillon foltoren e saj të radhës përballë Kryeministrisë, si pjesë e aksionit të ri protestues të nisur dy javë më parë nga kreu i PD-së, Sali Berisha. Protestuesit e parë janë mbledhur para Kryeministrisë ndërsa pritet një fjalim nga kryedemokrati Sali Berisha për ta konsideruar zyrtare nisjen e protestës.
Dy tubimet e para, të mbajtura më 17 dhe 24 nëntor, kanë kaluar të qeta dhe pa incidente, ndërsa formati i ri i protestës synon krijimin e një hapësire publike ku opozita, aleatët e saj dhe qytetarët të shprehin shqetësimet dhe akuzat ndaj qeverisë.
Berisha ka deklaruar se qëllimi i këtyre protestave nuk është pjesëmarrja masive, por garantimi i një tribune ku opozita të ketë zërin e saj të plotë, duke akuzuar shumicën qeverisëse se kufizon të drejtën e fjalës në Kuvend. Foltorja e përjavshme zhvillohet çdo të hënë, ndërsa PD po shqyrton mundësinë që ta shtrijë këtë format edhe në qytete të tjera të vendit, si dhe organizimin e një proteste të madhe kombëtare, megjithëse pa një datë të caktuar.
Policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e protestës, përfshirë ndalimin e parkimit pranë Kryeministrisë dhe ruajtjen e perimetrit të sigurisë, ndërsa numri i efektivëve pritet të jetë më i ulët se në protestat e mëparshme. Foltorja e sotme pritet të fokusohet te denoncimet e opozitës në drejtim të qeverisë dhe te akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.