9.5 C
Tirana
24 / 11 / 2025

“Miti i Sizifit”, sfida e mundimshme e gurit që e shndërroi njeriun në gur

Në mitologjinë greke, Sizifi nuk ishte thjesht një mbret dinak, ai ishte arketipi i njeriut që guxon t’i kundërvihet rendit kozmik, që e provokon fatin me inteligjencën e tij, që beson se mund t’i mashtrojë edhe perënditë.

Por dënimi i tij, ajo përjetësi e lodhshme, ku guri rrokulliset çdo herë sapo prek majën, nuk është thjesht hakmarrje hyjnore.

Është simboli i thelbit të ekzistencës: njeriu është i dënuar me përpjekje pafund, me kthime të njëpasnjëshme në pikën zero, me një cikël që nuk premton finalitet.

Në këtë lojë të fatit, njeriu është njëkohësisht aktor dhe viktimë. Ai shtyn gurin, por guri e shtyn atë në mendim, në revoltë, në kuptim. Sepse herët a vonë, njeriu përfundon duke u bërë ai vetë gur: i rëndë nga përvoja, i fortë nga përplasjet, i heshtur nga dhimbjet e grumbulluara.

Në esenë e tij të famshme, Camus arrin në përfundimin se absurdi lind pikërisht nga ndeshja midis dëshirës njerëzore për kuptim dhe heshtjes së universit.

Ne kërkojmë arsye, drejtim, qëllim. Universi jep vetëm heshtje, zbrazëti, indiferencë.

Ky kontrast e lind absurditetin, e lind tronditjen ekzistenciale, e lind atë heshtje të brendshme që shpesh është më e rëndë se vetë guri i Sizifit.

Por Camus nuk ndalet te errësira. Ai nuk propozon dorëzim. Përkundrazi: nga absurdi lind liria.

Ai thotë:

Nuk është e nevojshme të ketë kuptim për të vazhduar. Mjafton të ketë ndjeshmëri, revoltë, krijim.

Në një univers të pakuptimtë, njeriu e shpik kuptimin e tij. Ai bëhet krijues i fatit të vet.

Në vend të një përgjigjeje, ai jep një akt.

Në fund të esesë, Camus lëshon një nga idetë më të guximshme të filozofisë moderne:

“Ne duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur.”

Lumturia e Sizifit nuk vjen nga suksesi, sepse ai nuk e arrin kurrë.

Nuk vjen nga fati, sepse ai është i ndëshkuar.

As nga kuptimi, sepse puna e tij është pa kuptim.

Lumturia e Sizifit vjen nga revolta.

Nga fakti se, midis dënimit dhe pafundësisë, ai gjen një çast pronësie: kthimin drejt gurit.

Çdo herë që ngjitet për ta rimarrë gurin, ai e sfidon fatin dhe kthen kontrollin mbi jetën e tij.

Këtu lind liria.

Këtu lind dinjiteti.

Këtu lind njeriu.

“Miti i Sizifit” bëhet kështu një metaforë e madhe për jetën moderne, për epokën e lodhjes shpirtërore, për kohën kur njeriu ndihet i pashpjeguar në një botë të pashpjegueshme.

Fati filozofik i njeriut, sipas Camus-it, nuk është të dorëzohet, as të kërkojë përgjigje përfundimtare që nuk ekzistojnë, por të krijojë kuptim përmes veprimit, të gjejë vlerë në ngjitje, në mundim, në proces.

Kjo filozofi nuk na kërkon të ndryshojmë botën përreth.

Na kërkon të ndryshojmë veten ndaj botës.

Kuptimi nuk gjendet.

Kuptimi ndërtohet.

Në gur.

Në përpjekje.

Në ecje.

Në revoltë.

Në vetë jetën që na është dhënë si sfidë, jo si shpërblim.

Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x