9.5 C
Tirana
16 / 11 / 2025

Protesta e Berishës: Akti i fundit i një lideri që s’pranon të lirojë skenën politike

Nga Arbër Shkodra

-Thirrjet e tij, si gjithmonë kërcënim për destabilizimin e vëndit, dhe jo alternativë –

Thirrja e Sali Berishës për të nisur protestat të hënën me datën 17 nëntor, në orën 18:00 përballë Kryeministrisë, nuk vjen si fryt i ndonjë force politike të gjallë apo i një reagimi popullor. Ajo është produkti i presionit të përditshëm që prej muajsh i kanë ushtruar disa analistë në studio televizive dhe disa zëra ekstremë brenda PD-së—të cilët e sfidonin, e provokonin dhe i gërvishtnin sedrën për të dalë “më në fund në rrugë”, pasi nuk mund të jetojnë pa atmosferë konfliktuale. Dhe Berisha ra në këtë kurth, sepse sot nuk komandon dot më ritmin e politikës; ai reagon, shtyhet, provokohet. Nuk udhëheq.Në vend që të projektojë seriozitet, protesta e tij paralajmërohet mes ngjyrimeve kërcënuese, paralelizimesh me Nepalin dhe skenarësh dhune—gjë që e tmerron publikun, jo e mobilizon atë. Një lider opozite që me thirrjen e parë tremb njerëzit, gjithçka mund të jetë… por politikan i përgjegjshëm dhe alternativë qeverisëse kurrë.

Berisha e di mirë se koha nuk fryn më në anën e tij. Ai vetë është nën hetim për korrupsion, SPAK pritet t’i hapë gjyqin, dhe mbi tavolinë është edhe çështja e 14 janarit 2011, një plagë e rëndë politike e asaj kohe. Për më tepër, ai mbetet “non-grata” në SHBA dhe Britani—fakt që e ka shndërruar në liderin më të izoluar që opozita shqiptare ka pasur ndonjëherë.

Megjithatë, ndërsa ai akuzon qeverinë për korrupsion, harron rastësisht të shohë veten në pasqyrë. Dhe ndërsa pretendon për “zgjedhje të vjedhura”, nuk përmend dot asnjë procesverbal të vetëm të zgjedhjeve të 11 majit që nuk është firmosur nga komisionerët e opozitës. OSBE-ODIHR i ka njohur zgjedhjet; BE ka hapur kapitujt drejt anëtarësimit; Shqipëria është në rrugën më të qëndrueshme europiane prej dekadash. Po cilin realitet kërkon të mohojë Berisha?Protesta e tij nuk është reagim demokratik. Protesta është mjet legjitim—por jo kur përdoret si mburojë personale për të shmangur përgjegjësitë para drejtësisë, as kur udhëhiqet nga dikush që ka prodhuar vetëm konflikte, përplasje dhe frikë që prej vitit 1991.Vërtet është e pakuptueshme si mund të ketë ende njerëz që i shkojnë pas një lideri që çdo cikël politik e ka mbyllur me kriza, tension dhe shkatërrim institucional. Sot ai nuk i jep dot shpresë opozitës, nuk i jep dot vizion vendit, nuk i jep dot alternativë askujt. Ai di vetëm të thërrasë, të kërcënojë dhe të rikthejë fantazmat e së shkuarës.Nëse PD kërkon ringritje, rruga është e qartë: dorëheqja e Sali Berishës dhe kështu i hapët rruga një epoke të re politike për opozitën. Me të në krye, opozita vetëm rrotullohet në vend—dhe vendi lodhet nga një histori që nuk sjell asgjë përveç përsëritjes së të kaluarës. Shqiptarët sot nuk duan më frikë,duan politikë konstruktive. Berisha nuk përfaqëson më politikë—por vetëm frikën e tij se i ka ardhur fundi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x