Nga Roland Lami
Çdo vit, në të njëjtin vend ku dikur rreshtoheshin lexues të uritur sot mbushet një tjetër lloj oreksi: ai për poza. Panairi i Librit është shndërruar ngadalë në një skenë të madhe vetë-prezantimi, ku libri përdoret më shumë si aksesor sesa si tekst që duhet hapur, kuptuar, përjetuar.
Në stendat e botuesve, pas kopertinave që rrallë preken, endet shpresa e brishtë se ndoshta dikush do ta zgjedhë vërtet një libër për ta lexuar. Ndërkohë, përballë, vizitorët rendin drejt atij këndi me dritë të mirë apo dekor me ngjyra ku një foto me libër në dorë i jep profilit të tyre një kombinacion me veshjen dhe ajo që është më e rendësishme një shkëlqim të rremë intelektual.
Shoqëria jonë lexon gjithnjë e më pak, por pozon me libra gjithnjë e më shumë. Është një lloj performancë kulturore, ku aparenca zë vendin e përmbajtjes. Mjafton një foto, një filtër dhe një frazë e kopjuar për t’u vetëshpallur “lexues”, ndërsa libri shpesh nuk hapet kurrë.
Në këtë skenografi të re, botuesit bëjnë ç’është e mundur për të mbijetuar: tituj ngjyrash, kopertina tërheqëse, ulje çmimesh, evente, nënshkrime gjithçka për t’i dhënë librit një shans mes një audience të shpërqendruar. Por libri nuk garon më me librin tjetër: ai garon me ekranin, me rrjedhën e pafundme të imazheve, me simbolikën bosh të “librit si dekor”.
Në rrugicat e panairit mund të dallosh ndonjë fëmijë që pyet me sinqeritet: “Pse bëjnë foto me libra?”
Sepse fotoja duket, ndërsa leximi nuk shihet. Dhe ne jetojmë në një kohë ku vlera e një gjëje matet me sa mund të ekspozohet, jo me sa mund të kuptohet.
Mbrëmja bie, panairi mbyllet, dritat shuhen. Fotot mbeten në rrjetet sociale si suvenire të një kulture të pozimit. Ndërsa librat kthehen në kuti, duke pritur vitin tjetër, një vit tjetër shprese, një vit tjetër iluzioni, një vit tjetër ku ndoshta dikush do t’i kërkojë për atë që janë, jo për atë që duken në foto.
Nëse vazhdojmë kështu, Panairi i Librit rrezikon të kthehet në panairin e një kujtese kolektive, një kujtim nostalgjik për kohën kur njerëzit shkonin aty për të blerë libra jo për t’i përdorur si dekor në një fotografi të radhës.
Ndoshta kjo është rruga ku po shkojmë, librat do të vazhdojnë të dalin çdo vit, të rreshtohen në stenda, të ndriçohen bukur për kamera, ndërsa leximi do të zvogëlohet ngadalë, pa zhurmë, si një zakon i vjetër që askush s’e mban mend pse ekzistonte. Panairi do të mbetet i mbushur plot njerëz jo sepse libri ka fituar, por sepse fotografia ka nevojë për një sfond të mirë. Dhe kështu, libri do të vazhdojë të jetë prezent kudo… përveç vendit ku ka rëndësi: në mendjen e njerëzve./Marrë nga profili i autorit në Facebook
- “Je mësuar te shtëpia e fëmijës”, Xhelal Mziu fyen këshilltarin socialist, Muharremi braktis studion - 18/11/2025
- Moti i keq, “Mbrojtja” del me deklaratë: Nga pasditja priten reshje të shumta edhe në Tiranë - 18/11/2025
- Stuhi, rrebeshe dhe rrufe! Meteorlogia paralajmëron qytetarët: Mos lëvizni pa arsye. Fundjava sjell dëborë - 18/11/2025