Nga Perikli Qiriazi
Së bashku me dy kolegët e mi, dr. Florian Fusha dhe dr. Adriatik Balla, bashkëautorë, duam të ndajmë me ju kënaqësinë e botimit nga Akademia e Shkencave të monografisë sonë “Liqenet akullnajore të Shqipërisë”, e para dhe e vetmja në vendin tonë për këto perla, tempuj dhe thesare me vlera të jashtëzakonshme të natyrës sonë, por pak apo aspak të njohura, njëherazi tepër të dëmtuara, sidomos në dhjetvjeçarët e fundit.
Në këtë monografi, lexuesit do të gjejnë analiza dhe të dhëna konkrete për shtrirjen, përmasat, gjenezën, kushtet e formimit dhe evolucionit, gjendjen aktuale dhe perspektivën e liqeneve akullnajore të Shqipërisë, vlerat e tyre shkencore, ekologjike, kulturore, shpirtërore dhe turistike, shkallën e dëmtimit të këtyre vlerave; mundësitë e menaxhimit shkencor të tyre.
Monografinë e gjeni në librarinë e “Librit Akademik”, në krahë të Akademisë së Shkencave.
Në vazhdim një paraqitje e shkurtër e përmbajtjes e problemeve që trajtohen në këtë monografi.
***
Nisur nga larmia e jashtëzakonshme e natyrës sonë, me të drejtë, studiuesit e quajnë Shqipërinë një “muze gjigand natyror”, një “laborator” të vërtetë natyror për studimin e dukurive, ligjësive dhe objekteve natyrore. Në mozaikun kaq të larmishëm të këtij muzeu madhështor natyror dallohen liqenet akullnajore, të cilët janë objekte relikte gjeografike. Formimi i tyre lidhet me ftohjen e madhe të klimës në të gjithë globin tokësor në periudhën e Kuaternarit. Në globin tokësor ka pasur katër faza të ftohjes së madhe të klimës dhe të formimit të akujve. Në vendin tonë, shumica e autorëve pranon se ka vepruar faza e fundit e akullzimi, e Wurmit, rreth 115 000 – 11 700 vjet më parë. Akullnaja e Würm-it shënoi kulmin e ftohjes rreth 21.000 vjet më parë, periudhë e njohur si Last Glacial Maximum (LGM), kur akujt arritën shtrirjen më të madhe. Pas kësaj, filloi ngrohja e klimës, që solli shkrirjen graduale të akujve në fillimin e Holocenit. Në Europë, ajo ndikoi ndjeshëm në modelimin e relievit, duke krijuar lugina akullnajore, cirqe, morena dhe liqene akullnajore. Liqenet e sotëm akullnajore shprehin ekuilibrin midis furnizimit me ujë të tyre dhe shpenzimit të këtij uji.
Vendi ynë ka mbi 200 liqene akullnajore, por, vetëm 150 janë ujëmbajtës të përhershëm dhe kanë sipërfaqe mbi 0.2 hektarë në periudhën me nivel maksimal. Shtrirja, përmasat dhe evolucioni i tyre lidhet drejtpërdrejt me kushtet fizikogjeografike të territorit shqiptar. Orientimi i tyre ndjek linjat e mëdha malore të vendit, kryesisht midis lartësive rreth 1400 – 2400 m të tyre. Gjenden sidomos në Alpet Shqiptare dhe në Krahinën Malore Qendrore, ndërsa në Krahinën Malore Jugore janë shumë më të paktë e të përkohshëm.
Shumica janë të tipit të cirqeve dhe ndodhen në lartësitë kryesisht mbi 1400 – 1600 m mbi nivelin e detit. Përgjithësisht janë të vegjël (deri në disa ha) dhe me thellësi disa metra, rrallë deri në disa dhjetëra metra. Shumica rrethohet nga tre anë me shpate të pjerrëta dhe përfundojnë me pragje në lugje dhe lugina akullnajore. Kryesisht janë pa rrjedhje dhe të vendosura në grupe, midis tyre dallohen komplekset e mëdha liqenore të Lurës, të Balgjajt, të Martaneshit, të Valamarës, të Shebenikut, të Jezecës, të Dobërdolit, të Sylbicës, të Runicës etj. Furnizohen me ujë kryesisht nga tretja e dëborës, ndaj kanë regjim nival të niveleve. Gjatë dimrit ngrijnë në sipërfaqe.
Pozicioni gjeografik i veçuar në lartësitë e maleve, gjeneza dhe evolucioni, përbërja gjeologjike dhe relievi, klima e freskët alpine, resurset e bollshme ujore të ftohta dhe të pastërta, tokat e pasura me humus etj., kushtëzuan formimin e ekosistemeve të veçanta liqenore alpine, të pasura me gjallesa të larmishme, midis tyre edhe të rralla, relikte, endemike e subendemike. Në atë ashpërsi të egër të lartësive malore, këta “sy të kaltër”, me butësi të “mëndafshtë”, të befasojnë me formën e tyre, ujin e pastër si kristal, me bukurinë mahnitëse, me misteret dhe enigmat e shumta, inspirues për vepra të mëdha arti; me mitet, legjendat, gojëdhënat shekullore të thurura rreth tyre dhe të transmetuara gojë më gojë deri në ditët tona. Të gjitha këto përbëjnë vlera të mëdha, që duhet të ruhen me çdo kusht. Disa nga këto liqene (të Lurës, të Martaneshit, të Shebenikut, Gramozit et) janë shpallur monumente natyre.
Liqenet akullnajore, pjesë e peizazhit alpin, kanë vlera të jashtëzakonshme shkencore, ekologjike, estetike, shpirtërore e frymëzuese, turistike etj. Vendet që kanë këto lloj liqenesh e quajnë veten me fat, të privilegjuar. Ndaj, i studiojnë me detaje dhe i ruajnë me fanatizëm, duke i shpallur ato dhe gjithë territorin rreth tyre, trashëgimi natyrore (monumente natyre), objekte me mbrojtje të veçantë, të paprekshëm dhe të përjashtuar nga të gjitha aktivitetet ekonomike, madje edhe studiuesit duhet të hyjnë me lejë. Njëherazi, janë përpunuar dhe aplikohen strategji, programe, teknologji, mënyra për t`i menaxhuar e shfrytëzuar ato për qëllime shkencore, ekologjike, didaktike, estetike, madje edhe turistike, duke ruajtur e mbrojtur me përparësi vlerat e tyre të çmuara.
Ne kemi fatin e madh, sepse në territorin tonë malor, si u tha, ndodhen shumë liqene akullnajore (mbi 200), të cilët mbulojnë mbi 3 km2, ndërsa, në nivelet maksimale, sipërfaqja e tyre e përgjithshme arrin rreth 4.5 km2. Por, kjo vlerë e madhe e natyrës sonë njihet shumë pak nga publiku i gjerë, madje edhe nga shumë studiues; mungon analiza tërësore e gjenezës dhe evolucionit të liqeneve akullnajore; ajo është studiuar përciptas, më së shumti si sythe anësorë të trajtesave fizikogjeografike në shkallë vendi apo krahine. Ende këta liqene nuk kanë zënë vendin e duhur në listën e zonave tona të mbrojtura (numri i pakët i tyre me statusin e monumentit të natyrës është larg realitetit të shtrirjes dhe vlerave të tyre); nuk njihen metodat e reja të vlerësimit, menaxhimit shkencor dhe të mbrojtjes së këtyre vlerave të mëdha natyrore në interes të studimeve shkencore, edukimit ekologjik e të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Janë këto arsyet që, së bashku me dy studiuesit e talentuar, të palodhur e të përkushtuar dr. Florian Fusha dhe dr. Adriatik Balla, ishstudentët e mij të shkëlqyer, ndërmorëm studimin disa vjeçar të liqeneve akullnajore, të këtyre perlave dhe tempujve të natyrës sonë. Rezultatet kryesore të studimit tonë përbëjnë objektin e kësaj monografie, në të cilën, për herë të parë, në njëmbëdhjetë sythet dhe 629 faqet e saj, trajtohen në mënyrë tërësore e të plotë pothuajse të gjithë liqenet akullnajore të Shqipërisë. Meqë vlerat natyrore dhe kulturore të tyre janë të lidhura dhe plotësojnë njëra-tjetrën, analizohen dhe vlerat materiale e shpirtërore të këtyre objekteve të rralla të maleve tona. Më konkretisht, në monografi trajtohen këto probleme: Liqenet akullnajore, rëndësia dhe vlerat, ku analizohen: koncepti “liqene akullnajore dhe karstoakullnajore”; domosdoshmëria e studimit, baza e të dhënave dhe metoda studimore e përdorur; terminologjia; historia e studimeve glaciare në Shqipëri; studiuesit e huaj dhe publikimet e tyre; ndihmesa e autorëve shqiptarë në studimet glaciare në vendin tonë; veҫori fizikogjeografike të Shqipërisë, ku theksohen tiparet, që kanë ndikuar në formimin e ruajtjen e liqeneve akullnajore; veçori të përgjithshme limnometrike e limnografike të liqeneve akullnajore: shpërndarja gjeografike në drejtim vertikal, horizontal, sipas krahinave fizikogjeografike, njësive e nënnjësive malore dhe administrative; gjeneza, kushtet e formimit dhe evolucioni; liqenet akullnajore në kuadër të sistemit limnologjik shqiptar, toponomia; morfohidrografia (forma përmasat, batimetria etj.) dhe regjimi i niveleve, termik dhe kimik; bota e gjallë e pasur dhe e larmishme; grupimi dhe klasifikimi sipas kritereve më të njohura shkencore (liqenet e cirqeve, morenikë dhe karsto-glaciarë, të përhershëm, “lëvizës” dhe sezonalë, lerat); vlerat e shumta shkencore, ekologjike, estetike dhe frymëzuese, shpirtërore (pjesë e rëndësishme e mitologjisë tradicionale shqiptare, që ka arritur në ditët tona e shkrirë në krijimtarinë popullore: folklorin, artin e zbatuar dhe besimet popullore etj.), si dhe turistike.
Në kuadër të kësaj monografie, bëhet prezantimi i të gjitha liqeneve akullnajore të Shqipërisë, sipas njësive dhe nënnjësive fizikogjeografike të vendit tonë, duke vënë theksin në formimin dhe evolucionin e tyre, në tiparet morfohidrologjike dhe të regjimit të niveleve, në veçantitë e botës së gjallë, në vlerat e mëdha shkencore, ekologjike dhe turistike. Tiparet e tyre janë parë e trajtuar të ndërlidhura me faktorët e tjerë natyrorë, sidomos me relievin, si element kryesor fizikogjeografik i natyrës shqiptare, me kushtet klimatike etj.
Vëmendje e veçantë u kushtohet gjendjes mjedisore dhe shkallës së rrezikimit të vlerave, por edhe të vetë liqeneve (gati gjysma e tyre, ndërsa shumë të tjerë janë ndotur, zhdukur apo në fazën e fundit të jetës së tyre) dhe problemeve të mbrojtjes dhe menaxhimit e shfrytëzimit shkencor të tyre. Për këtë jepet edhe përvoja efektive e disa vendeve të zhvilluara, duke dhënë njëherësh sugjerime për mbrojtjen e tyre dhe për ndërgjegjësimin e publikut, sidomos të institucioneve shtetërore e të shoqërisë civile, që duhet të jenë shumë më të ndjeshëm ndaj një pasurie të tillë, sa të çmuar, por aq dhe delikate.
Vlerë të veçantë ka shtojca, ku jepet kartoteka e liqeneve akullnajore të Shqipërisë, të radhitur sipas njësive administrative dhe sipas alfabetit. Ajo, së bashku me treguesin e emrave, lehtëson gjetjen dhe marrjen e informacionit për të gjitha liqenet akullnajore të vendit tonë.
Monografia është e pasur me shumë tabela, grafikë, figura, harta, foto satelitore dhe tokësore, të cilat konkretizojnë konkluzionet dhe informacionin, e bëjnë atë më të kuptueshëm dhe më të kapshëm nga të gjithë. Ato janë fruti i punës së gjatë dokumentuese në kabinet dhe sidomos në terren të autorëve dhe kolegëve e miqve tanë. Evidentimi dhe analiza e detajuar e vlerave të liqeneve akullnajore ndihmon studimin e dukurive fizikogjeografike të Shqipërisë, zhvillimin e turizmit malor. Ato janë pasuri e vyer e natyrës së Shqipërisë. Për më tepër, shumica e liqeneve akullnajore janë pjesë e zonave të mbrojtura natyrore (parqe kombëtarë, monumente natyre dhe rezervate natyrorë të menaxhuar) të përcaktuara nga institucionet përgjegjëse.
Tematika tepër e gjerë, këndi i ri aktual i vështrimit të kësaj tematike, pasqyrimi i arritjeve të fundit në botë dhe në Shqipëri, ndërthurja e koncepteve të sotme teorike me analiza konkrete të gjendjes së liqeneve tona akullnajore; trajtimi i metodave të vlerësimit dhe të menaxhimit shkencor të kësaj trashëgimie të vyer natyrore etj., e bëjnë studimin tonë të vetmin dhe të vlefshëm për: studiues të natyrës shqiptare (gjeografë, gjeologë, hidrologë, klimatologë, biologë, të trashëgimisë natyrore etj.); ligjvënës, punonjës dhe organe të zonave të mbrojtura, të mbrojtjes së mjedisit, të pushtetit qendror e vendor, menaxhues të pasurive natyrore, ambientalistë, operatorë turistikë dhe turistë, dashamirës të natyrës, studentë të gjeografisë, biologjisë, historisë, mësues, nxënës, media dhe për gjithë të interesuarit për liqenet tona akullnajore etj. Në këtë monografi, ata do të gjejnë të dhëna konkrete për shtrirjen, përmasat, gjenezën, kushtet e formimit dhe evolucionit, gjendjen aktuale dhe perspektivën e liqeneve akullnajore të Shqipërisë, vlerat e tyre shkencore, ekologjike dhe turistike, gjendjen e këtyre vlerave dhe mundësitë e menaxhimit shkencor të tyre.
Falënderojmë veçanërisht Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për botimin e kësaj monografie. Gjejmë rastin të falënderojmë gjithashtu, kolegët, miqtë tanë gjeografë dhe specialistë të tjerë, të pakursyer me sugjerime dhe këshilla të vlefshme; recensentët, redaktoren letrare, dizajnin e shkëlqyer, fotografët e talentuar dhe reklamues të shkëlqyer të vlerave të natyrës sonë Albert Cmeta dhe Fation Plaku; bashkëpunëtorët tanë, që ndihmuan me foto të rralla nga liqenet më të largët e më të vështirë për t’u arritur si: Fatmir Brazhda, Sefedin Roshi, Artur Nikolli, Julian Ruçi, Selman Hasa, Ndoke Piniqi, Mahir Jangulli dhe Alpine Guide Albania.
Një falënderim special shkon për alpinistin dhe guidën turistike Ndoc Mulaj, i cili humbi jetën gjatë një ngjitjeje alpinistike në majën e Munellës, për këshillat, sqarimet dhe foto për liqenet akullnajore në Alpet Shqiptare. Të gjitha ia rritën vlerën këtij botimi, ndaj jemi të lumtur t`iu shprehim falënderimet tona.
Do të ishte një kënaqësi e veçantë, nëse do të ndihmonim sadopak në zgjimin e interesit për këta tempuj të natyrës për njohjen, mbrojtjen dhe shfrytëzimin shkencor të tyre për qëllime studimore, turistike, kulturore, didaktike; për edukim ekologjik dhe për t’ua përcjellë këto vlera natyrore e kulturore të natyrës sonë brezave të padëmtuara dhe të vlerësuara e menaxhuara shkencërisht. Krahas të tjerave, le të jetë ky studim edhe një thirrje për t’i njohur, mbrojtur dhe menaxhuar si duhet këto vlera të çmuara të natyrës sonë. Të hapur për diskutim dhe debat shkencor, autorët presin me kënaqësi vërejtjet dhe sugjerimet, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin në vazhdimësi të studimit tonë, që ai t’i shërbejë gjithmonë e më mirë njohjes, analizës, mbrojtjes dhe menaxhimit shkencor të liqeneve tona akullnajore.