Administrata Kombëtare e Hapësirës e Kinës (CNSA) publikoi të mërkurën një imazh të veçantë të sondës “Tianwen-2” së bashku me Tokën, të bërë gjatë udhëtimit të kësaj sonde në hapësirën e thellë.
Imazhi i porsapublikuar, i marrë nga një kamerë monitorimi e montuar në krahun robotik të sondës, shfaq flamurin e kuq të Kinës me pesë yje dhe modulin e bardhë të kthimit, duke pasur larg në sfond Tokën blu.
Sipas CNSA-së, sonda “Tianwen-2” është aktualisht afërsisht 43 milionë kilometra larg Tokës dhe 45 milionë kilometra nga asteroidi “2016HO3”.
Sonda ka përfunduar me sukses një sërë provash në orbitë, duke përfshirë vendosjen e pajisjeve të marrjes së mostrave dhe vetëkontrollet e pajisjeve elektronike. Të gjitha sistemet raportohet që funksionojnë normalisht, ndërsa instrumentet në bord kanë filluar të mbledhin të dhëna të vlefshme shkencore mbi mjedisin hapësinor, sipas CNSA-së
Kina nisi më 29 maj misionin e saj të parë për kthimin e mostrave të asteroidëve “Tianwen-2”, në përpjekje për të zbuluar formimin dhe evolucionin e asteroidëve dhe sistemit të hershëm diellor.
Misioni synon të arrijë qëllime të shumta gjatë një ekspedite dhjetëvjeçare: mbledhjen e mostrave nga asteroidi afër Tokës “2016HO3” dhe eksplorimin e kometës së brezit kryesor “311P”, e cila është më larg nga Toka sesa Marsi.
- “Synimi ishte destabilizimi i vendit”/ Eksperti i sigurisë: Protestat në Tiranë janë zgjatim i atyre në Francë e Europë - 28/10/2026
- Protesta që donte të ishte e të gjithëve po bëhet e më të organizuarve - 28/10/2026
- “Do të krijojmë një qeveri të re”/ Eisenkot pas zgjedhjeve në Izrael: Do të sjellim ndryshimin - 28/10/2026