32.5 C
Tirana
17 / 08 / 2025

Gjumi me një çelës, pragjet e gjenialitetit

Mbyll sytë për një çast. Imagjino veten ulur në një karrige, me një çelës të ftohtë në dorë, mbi një pllakë metalike në dysheme. Përgjumja të pushton ngadalë, mendimet fillojnë të zbuten, imazhe të çuditshme e të gjalla shfaqen si prej një bote tjetër… dhe, ting! – çelësi bie, të zgjon, dhe ajo që pe nuk është zhdukur ende. Je në pragun e gjenialitetit.

Albert Ajnshtajni kishte këtë zakon të çuditshëm, që sot duket si një ritual poetik, por në fakt ishte një eksperiment i përhershëm me mendjen. Ai ulej në një karrige, me krahun e varur mbi një anë, duke mbajtur një çelës të rëndë mbi një pllakë metalike të vendosur në dysheme. Në momentin kur përgjumja fillonte ta rrëmbente, dora i lirohej dhe çelësi binte me një tingull të fortë mbi pllakë, duke e zgjuar menjëherë. Çfarë kërkonte ai? Jo gjumin, por çastin përpara tij.

Ky moment, që neuroshkenca moderne e quan gjendja hipnagogjike, është një urë e brishtë midis zgjimit dhe gjumit, një hapësirë ku truri liron imazhe të çuditshme, lidhje sureale dhe shkëndija idesh që nuk do të ekzistonin në gjendje të plotë vetëdijeje. Në këtë fazë, valët e trurit kalojnë nga ritmet e shpejta të zgjimit (beta) te ritmet më të ngadalta e introspektive (alfa e theta), duke krijuar një terren pjellor për shpikje, intuitë dhe vizione artistike.

Ajnshtajni nuk ishte i vetëm në këtë kërkim. Salvador Dalí, mjeshtri i surealizmit, përdorte një lugë që e linte të binte mbi një pjatë të hollë metalike. Ai e quante këtë “gjumi me një çelës” (dormir avec une clé), një portë sekrete drejt gjendjes së ndërmjetme ku realiteti dhe ëndrra përzihen. Për Dalín, ky ishte një laborator i përditshëm për të kapur imazhet e pazakonshme që më pas i kthente në piktura të papërsëritshme.

Në anën tjetër, Thomas Edison, mjeshtri i shpikjeve praktike, e përdorte teknikën për qëllime krejt të tjera: zgjidhjen e problemeve inxhinierike. Për të, kjo gjendje nuk ishte një luks artistik, por një mjet pune, një vend ku mendja mund të krijonte zgjidhje që logjika e zgjimit nuk do t’i mendonte kurrë.

Shkenca sot e konfirmon se kjo fazë kalimtare ka një potencial të jashtëzakonshëm. Studime të reja tregojnë se gjendja hipnagogjike rrit aftësinë e njeriut për të bërë lidhje të pazakonshme, forcon kujtesën afatshkurtër dhe ndihmon në inkubimin e ideve të reja. Në laboratorë të gjumit, është vërejtur se njerëzit që zgjohen në këtë moment janë më kreativë dhe më të shpejtë në zgjidhjen e problemeve.

Pra, gjumi me një çelës nuk është thjesht një histori e bukur për Ajnshtajnin, Dalín apo Edisonin. Është një kujtesë se mes zgjimit dhe gjumit ekziston një tokë e askujt, një hapësirë e vogël dhe e brishtë, ku ide të mëdha lindin e zhduken si yje që shkrepen një herë. Ata që dinë ta kapin atë çast, kapin një copëz gjenialiteti.

Përgatiti: Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

2
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x