26.5 C
Tirana
18 / 08 / 2025

Mirësevini në Republikën Feudale të Shqipërisë!

Nga: Edvin Kulluri

Republikat dhe Feudalizmi janë dy anë të kundërta të medaljes së sistemeve politike të para 3 shekujveqë u ndëshën nga evropa deri në SHBA. Të parat u ngritën kundër të dytave duke vendosur në qëndër të shoqerisë njeriun me të drejtat dhe detyrimet e tij si I barabartë mes të barabartëve dhe qeverisë. Qeverisë si garante e atyre të drejtave, e nëse nuk mjaftonte qeveria, “xhandarin” e të drejtave e luante parlamenti, sistemi gjyqësor dhe qeverisja lokale si niveli I parë dhe I drejtëpërdrejtë I përfaqësimit. E megjithatë ne si “shqiptarë krijues” mundemi që dy të kundërta ti bashkojmë në të njëjtën anë të monedhës, e për më tepër ta shesim këtë absurd edhe si sukses! Flasim si “republikanë’ e sillemi si “feudalë” e “mbretër absolutë”.

Absurdi në vëndin tonë është kthyer pikërisht në model suksesi! Dhe më e keqja është se pak njerëz ankohen për këtë gjëndje në tërësinë e vetë, por të gjithë ankohen për hallin e vet, në nivel politik natyrisht. Përtej hundës së tij askush nuk sheh të tërën. Paradoksin që kemi para syve.

Po cfarë ngjashmërie ka rendi I gjerave aktuale në Shqipëri me feudalizmin e para-revolucioneve borgjeze apo industriale, që në fakt kanë qënë revolucione demokratike? Përvec aspektit ekonomik që lidhej kryesisht me tokën dhe atë politik më monarkizmin si formë qeverisjeje, në të gjitha aspektet e tjera ngjashmëritë janë befasuese, biles edhe më keq. Dhe mjafton vetëm një kriter për të shpjeguar këtë krahasim: marrëdhënia me ligjin! Sepse garanti I vetëm I lirive dhe të drejtave të qytetarëve është “barazia para ligjit”, e cila materializohet përmes ndarjes së pushteteve. Por në Shqipërinë tonë të gjithë kanë nga një ligj për vete dhe një ligj për tjetrin. Pushteti I tjetrit është I keq, ndërsa I veti I mirë. Dy qeverisje me të njëjtat probleme nuk përfaqësojnë një fenomen por vetëm “qeverisjen e keqe të tjetrit”, kundërshtarit, që në fakt duke qënë kështu, nuk është kundërshar por ‘homolog”! Ky ka qënë niveli I diskutimit në Babiloni apo Mikënë, para lindjes se Sokratit e Platonit! Jemi spostuar diku rreth 2400 pas vite në diskutimin se cfarë është e drejtë! Amin!

E për të mos u zgjatur shumë, këtë paradoks e mishëron qëndrimi ndaj drejtësisë e sidomos SPAK! Po të shohim sesi spërdridhen elitat politike e pjesërisht mediake përballë Dumanit me shokë në varësi të cështjeve dhe përsonave në hetim apo gjykim, paradoksi shndërrohet në estradë banale. Për shëmbull, ata që kerkonin hetimin e gjykimin e Berishës për “Gërdecin’ apo “21 janarin”, ju turrën SPAK më hunj e gurë kur u ndalua Erjon Veliaj. I pari ishte Rama në histerinë e tij në Sheshin Skënderbej ku mblodhi në një grumbull karrigesh zjarrëfikësa, pastrues e policë bashkiake duke u mbajtur fjalime sesi SPAK e teproi, kaloi “vijën e kuqe”. E më pas jehona përfshiu dhe shume gazetarë e opinionistë. Ndërsa për ndalimin e Metës zor se ndonjëri prej tyre belbëzoi. Për faktin e thjeshtë se Meta “nuk është I yni”. Vetë Veliaj që I kërkonte drejtësisë të vepronte kundër Berishës si të ishte vetë Dumani, u shndërrua brenda ditës në një Genc Gjokutaj. Dhe të tjerët I rendën pas… !

Ata që I kërkonin PD të mos kthehej në zyrë avokatie të Berishës pas marrjes në hetim për “Klubin Partizani”, papritur ashtu si me magji veshën mantelin e avokatit të Veliajt. E anasjelltas, PD që harxhonte tërë energjitë si zyrë avokatie e Berishës në mbrëmjet televizive, të nesërmen në mëngjes mbanin pretenca prokurorie tek dera e bashkisë Tiranë. Natyrisht që “prokurorët e foltores” sic ja u do zakoni në kohë lufte politike, në një njërën dorë mbanin parrulla, e në tjetrën Molotov.

Por më “rëndë” se këta u paraqit “mbreti lakuriq”, vetë arkitekti iluzionar I reformës në drejtësi. Edi Rama, I cili sokëllinte nga sheshi Skënderbej se “mos guxoni të kërkoni telefonin tim”, duke kercënuar SPAK së përballë kishin pushtetin ekzekutiv dhe jo thjeshtë një të dyshuar potencial mbase per korrupsion. Deri tani kaq dijmë. Por gjuha shkon ku dhëmb dhëmbi.

E pra secila nga palët apo personazhet politikë që drejtojnë vendin, kanë nga një qëndrim të vetin lidhur me hetimet për kundërshtarët, e po ashtu për cështjet për të cilat u janë nënshtruar vetë hetimit apo gjykimit. Si feudalë shëmbullorë vetëshpallen të pafajshëm brënda feudit të tyre, e shpallin fajtorë feudalin që kanë përballë. Shkurt, punë feudalësh.

E parë kështu e deri më kaq, në pamje të parë duket se elita drejtuese bashkë me ata që I mbështesin, është e ndarë në disa feude të vecuara. Secili në hallin e vet e interesat e veta. Por nuk është keshtu për sa kohë I përbashkon I njëjti “armik” apo kundërshtar që u sfidon rendin e gjerave dhe pushtetin. Drejtësia apo e thënë troc SPAK, që në 6 vitet e fundit ka goditur politikanë të nivelit të lartë si asnjëhere më parë në 34 vite për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Ndaj qëndrimi I njëjtë që kanë këta feudalë, I vetëidentifikon si të ngjashëm apo të njëjtë. E duke qënë së këtë përbashkësi qëndrimesh, pikëpamjesh e prej më shumë se një decade edhe institucionalisht përmes amnistisë penale të një viti më parë, kodit zgjedhor e ndryshimeve kushtetuese të 2008, konsensusit të heshtur për të goditur vetë-qeverisjen lokale, mund të themi se kjo është një formë qeverisjeje konsensuale. Pra një “republikë”, por sic e kemi zakon të bëhemi groteskë, një “republikë feudale”!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x