30.5 C
Tirana
14 / 07 / 2025

“Toka e klubit Partizani u ble nga italianët”, dhëndri i Berishës padit Moisiun për shpifje

Pas deklaratave të ish-presidentit Alfred Moisiu, mbrëmjen e djeshme në A2 CNN, për rastin “Partizani”, ka reaguar sot Jamarbër Malltezi, i cili thotë se do ta padisë ish-presidentin në gjykatë për shpifje.

Në një postim në Facebook, ai cilëson shpifje deklaratat e ish-kreut të shtetit, i cili tha se toka e Klubit Partizani ishte shpronësuar nga italianët dhe se drejtësia duhet të kërkonte dokumentet në Itali. Në përgjigje të këtyre deklaratve, Malltezi akuzon Moisiun se tha të pavërteta.

“Fakti që toka nuk ka qenë e shpronësuar quhet fakt i njohur zyrtarisht, përderisa është botuar në fletoret zyrtare të kohës së Italisë si tokë e rekuizuar dhe jo e shpronësuar. (Rekuizimi është okupim për periudhë të përkohshme e pa ndryshuar pronësinë). Kaq do të qe e mjaftueshme për këdo që respekton ligjin, por veçanërisht për një ish-president, nëse ai do të përmbushte kriteret e një burrështetasi – respektin për ligjin dhe jo shpifjen”, shkruan Malltezi.

Ai i kujton ish-presidentit  hetimet e SPAK dhe kërkimet edhe në arkivat e Italisë për këtë çështje ku sipas tij provohet se ajo tokë nuk ka qenë kurrë e shpronësuar.

“Për merakun e ish-presidentit që mesa duket nuk ka më aftësinë të ndjeke detaje, rikujtoj se SPAK jo vetëm ka kryer 3 muaj hetime në Arkivat e Shqipërisë, por ka bërë kërkesë edhe në arkivat e Italisë nga ku ka marre mbi 10,000 faqe dokumente, të cilat provojnë katërcipërisht atë që shkruhet në fletoret zyrtare se ajo tokë nuk ka qenë kurrë e shpronësuar”.

Duke i cilësuar shpifje deklaratat e ish-presidenti Moisiu, Malltezi tha se do ta çojë në gjykatë.

“Zgjedhja për t’u vetëposhtëruar nëpërmjet shpifjes nuk është çështje moshe, por karakteri. Për të larguar çdo dyshim të publikut mbi këtë çështje, e njoftoj publikisht z.Moisiu që meqë ky është një fakt i ditur për të dhe meqë fjalët nuk mund t’i lëshojë siç nuk thuhet, do ketë mundësi të provojë ose jo, shpifjet e tij në gjykatë”.

Më herët, ish-presidenti i Shqipërisë, tha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, tha se:

“Drejtësia e re duhet të jetë më e kujdesshme, po të nxjerrësh faktet s’mund të thonë se këto gjëra nuk ekzistojnë. Të marrim grupin e pallateve Partizani, ajo ka qenë tokë e blerë nga italianët. Tani se ku janë dokumentet unë nuk i di.

Nuk bëhet asgjë pa dokumente. Edhe nëse nuk janë këtu, gjenden në Itali. Arkivat të shkojnë dhe t’i marrin, t’i mbyllin gojën.”

Sipas Moisiut, në mungesë të një administrate të rregullt, prona mund të shitet disa herë duke krijuar kaos dhe pasiguri pronësore: “Të marrësh ta shesësh disa herë se administrata nuk është e rregullt dhe nuk gjen dokumentet, kjo nuk është e drejtë. Këtu bëhen disa gjëra që bëhen ashiqare”, tha ish-presidenti.

Artikujt më të kërkuar

2
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x