Nga Vilma Bello
Lajmet se brenda nëntorit të këtij viti Shqipëria pritet të hapë gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian, duke shënuar një moment historik në procesin e integrimit të vendit, janë padyshim të mira në aspektin strategjik dhe në aspektin politik e shoqëror. Po përtej optimizmit, kjo ushqen e nxit nevojën e fortë për reforma të reja që tashmë Kryeministri Rama i ka bërë publike.
Fillimet e mandatit të parë qeverisës janë domethënëse, ekzemplare edhe për këtë mandat. Pse 2013 ia vlen të ripërsëritet në rrethanat e reja?
Si fillim, sepse koha është e duhura. Nëse hapja e kapitujve të parë të negociatave, veçanërisht ato që prekin drejtësinë, administratën publike, të drejtat themelore dhe shtetin e së drejtës, lidhet me vendosjen e shtyllave të organizimit të shtetit. Për të treguar kthesën e vendosur evropiane të Shqipërisë, nisja e reformave që prekin jetën e përditshme, tregon tashmë se integrimi është proces afatgjatë, jo një ngut që të rrëmben për momentin e të lë pasoja. Tregon gjithashtu, se nuk është proces teknik, as diplomatik, madje as që mund apo duhet kuptuar si i tillë.
Reformat e mandatit të katërt na çojnë në mendimin se tani është përditshmëria jonë si qytetarë që dikton, ndaj dhe iu besua sërish e kaq bindshëm Edi Ramës e PS, forca politike që ka mbajtur përherë peshën historike për të projektuar të ardhmen. Nëse reformat për kapitujt e parë janë afatgjata dhe kërkojnë kohë për të dhënë rezultate konkrete, reformat e tanishme që prekin përditshmërinë tonë; shërbimet publike dhe territorin, shëndetësinë dhe arsimin, urbanistikën e teknologjinë apo ekonominë familjare, kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm në jetën e ritmin e ditës së çdo qytetari. Sepse integrimi na takon neve, çdo familjeje shqiptare, sepse nuk i jemi ulur Brukselit në gjunjë e ai thjesht po na mirëkupton mungesat e nevojat…
Ky është një mesazh i fortë! Qeverisë dhe Edi Ramës i është dhënë mandati i katërt të drejtojë Shqipërinë drejt BE dhe shqiptarët drejt pasaportës evropiane.
Ky ishte vizioni me të cilin dolëm në fushatë e për këtë u mandatuam. Ne na duhen standardet evropiane brenda vetes. Për këtë votuan shqiptarët. Ne duam shërbime më të mira, jetë më cilësore, mirëqenie e siguri, ndjeshmëri për nevoja që duken të vogla përballë nevojave që shteti ka, por Shqipëria jetohet e duhet të jetohet, më së pari, nga qytetarët e saj që zgjedhin të parin vendin e tyre për të jetuar, që të kuptojnë, të ndiejnë e të besojnë se qeveria nuk është mekanizëm robot që vendos e merret me rregulla kornizuese për fashikuj që BE na kërkon të përmbushim.
Përkundrazi! Qeveria është instrumenti bazik e kryesor për të na siguruar çfarë duhet në përditshmërinë tonë, ashtu sikurse duam e kërkojmë edhe Evropën brenda Shqipërisë. Rama është në provë nga shqiptarët. Ka në lojë lidershipin e tij, tashmë të njohur e të votëbesuar. S’ka më justifikim, as ka luksin të ecë ngadalë; është pikërisht koha për të ecur shpejt, me vendosmëri, duke përballur rezistencën e brendshme, e natyrshme dhe e pranueshme deri diku, duke guxuar për modele të reja, por përherë me sfidën për të mos humbur vlerat dhe dinjitetin që shoqëria jonë i ka në thelb të shenjta dhe shumë mirë që i ka, sepse më e mirë bëhet vetëm mbi vlerat që mbart.
Shumë lajme janë prodhuar këtë korrik; nga Vlora nisën dhe jo rastësisht. Përmes saj, Rama ka iniciuar një model lidershipi të ri, të vendosur, të përgjegjshëm dhe vullnetfortë për t’iu përgjigjur një perspektive rrënjësisht të ndryshme të administrimit lokal. Dhe unë dua dhe besoj se Vlora me Ermal Dredhën do ta udhëheqë këtë proces me kurajë e pa dyzime.
Nga Vlora, Kryeministri Rama nisi artikulimin e reformave të këtij mandati. Të ecësh me këto reforma, nuk do të thotë se po sfidon njerëzit e tu, përkundrazi. Po guxon, duke treguar edhe një herë lidership që t’i bësh administruesit lokalë, deri edhe qytetarët, aktorë dhe jo spektatorë të zhvillimeve që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre. Kjo do të thotë të qeverisësh jo mbi qytetarët, por të ndërtosh bashkë me ta, jo si diktat mbi vendimmarrjen vendore, por përmes një marrëdhënieje bashkëpunimi ku pushteti lokal di dhe zgjedh të bëhet partner i barabartë, jo zgjatim i vendimmarrjes qendrore.
Këtë nënvizoi kryeministri këto ditë korriku në Vlorë e kudo tjetër. Ndryshimi nuk do të vijë lehtë, as si spektakël, por me lodhjen e mbase me nervozizmin që sjell e domosdoshmja. Edi Rama po e udhëheq këtë proces me përfshirjen, ndjeshmërinë dhe pjesëmarrje aktive e angazhim të çdo institucioni e individi. Evropa që duam për Shqipërinë, nuk është një projekt shtetëror, por është jetik e shoqëror ku çdo qytetar ka rolin dhe përgjegjësinë e tij. Le të besojmë shumë, të ecim vendosur me reformat që na shërbejnë, të bëhemi pjesë e vërtetë e këtij rrugëtimi evropian që forcon besueshmërinë e Shqipërisë, por mbi të gjitha, shërbejnë për të ndërtuar Evropën në Shqipëri.
Sa më shumë ta kuptojmë që jemi ne ata që e realizojmë, aq më shumë rol do t’i ndiejmë vetes. Ky është proces që del përtej emrave, në thelb, ngrihet jo mbi atë që je, por mbi atë që mund të bësh! Këto nuk janë sfida personale, këto janë diktat i kohës. Koha kërkon guxim, si për të besuar në vizionin për Shqipërinë evropiane, edhe për të pranuar ndryshimet.
Por, njëjtë me këdo e për këdo, qoftë të administratës e sektorit publik apo privat, pa dallim e pa preferenca dhe me barazi e transparencë, sepse mungesa e tyre cenon besimin e të gjithëve në reformat integruese, cenon besimin e qytetarëve, të biznesit e të kujtdo. Kjo s’është më çështje ngjyrash. Ky lloj ndryshimi është si toka ku mbështetemi të gjithë, pa dallim.
Unë vetë dua ta jetoj këtë ndryshim, të gjithë e mendojmë, e duam, e kërkojmë. Le ta bëjmë! Jo si spektatorë. Si aktorë të ndryshimit. Medoemos!