Nga Luan Rama
Në 105-vjetorin e lindjes të Ismet Elezit.
Pesë vjet më parë, në njëqindvjetorin e lindjes, ndër të tjera pata shkruar për Profesor Ismet Elezin: jetofsh sa më gjatë dhe me shëndet të mirë edhe në shekullin e dytë të jetës!
Dhe ja ku jemi sot në njëqind e pesë vjetorin e lindjes, me profesorin mes nesh, teksa jeton në shekullin e dytë, mendjekthjellët e shëndetmirë, ende në punën e jetës së tij, mes librash të shumtë teksa vazhdon e shkruan, duke qenë mbase edhe shqiptari më jetëgjatë ndër të gjithë ne.
Profesor Ismet Elezi u lind më 5 prill të vitit të largët 1920 në Fterrën mes maleve të Labërisë.
Jeta e tij është një histori më vete.
I lindur në një familje patriote dhe me kontribute për Shqipërinë, edhe vetë profesori i ardhshëm, u bë bartës kryelartë i emrit të familjes.
U bë edhe përfaqësues i Fterrës, si një ndër të shumtët patriotë dhe intelektualë që ajo trevë i dha Shqipërisë.
Idealist, atdhetar dhe antifashist, intelektual dhe mendimtar progresist, Ismet Elezi është sot përfaqësuesi dinjitoz i atij brezi që shërbimin ndaj popullit dhe vendit e patën kredon e jetës.
Intelektual i rendit të parë, studiues i vëmendshëm dhe punëtor i palodhur, pegagog dhe profesor i qindra e qindra juristëve dhe ndër të parët themelues të fakultetit të drejtësisë, shkencëtar me kontribute të vyera e me vlerë fondamentale në jurisprudencën shqiptare, administrator me cilësi të veçanta dhe burokrat ekselent në shërbim të shtetit, Ismet Elezi është modeli që i bën nder popullit dhe vendit.
Njohësi dhe studiuesi më i mirë i Kanunit të Labërisë, Profesor Ismet Elezi është autori i mbi 280 botimeve.
E Drejta Penale dhe e Drejta Zakonore janë dy korpuset e mëdha të kontributeve të tij shkencore.
Ai sot mbush 105 vjet jetë.
Fatlum për jetën e gjatë, krenar për çfarë i ka dhënë popullit dhe atdheut, njëqind e pesë vitet e jetës së tij, janë historia e gjallë e një njeriu që jeton në shekullin e dytë.
Të paçim Profesor Ismet Elezi!