Mediat greke e kanë quajtur Fredi Belerin si një personazh “me të kaluar të dyshimtë”, pasi ky i fundit propozoi për postin e nënkryetarit të Komitetit Special të sapokrijuar të Parlamentit Evropian “Mburoja për Demokracinë Evropiane”, youtuberin dhe eurodeputetin qipriot Fidias Panajotu.
Gazeta greke “Kathimerini” thotë se iniciativa e Belerit për të mbështetur Fidias-in, të cilin e quan “një shakaxhi i Youtube” ka shkaktuar përplasje të forta midis eurodeputetëve grekë në Parlamentin Europian.
Përveç faktit se e vetmja arsye që Beleri dha për të mbështetur Fidiasin ishte fakti se ai është grek nga Qipro, “Kathimerini” thekson se eurodeputeti qipriot ka marrë publikisht mbështetjen e Elon Musk, i cili gjithnjë e më tepër është kritikuar nga politikanët e lartë europianë për ndërhyrje në politikat e BE-së.
“Zgjodha të mbështes deputetin e pavarur qipriot, Fidias Panayiotou, bazuar vetëm në origjinën e tij greke dhe asgjë më shumë. Komplekset e zotit Arvanitis nuk më prekin dhe as nuk më shqetësojnë”, deklaroi Beleri.
Ndërsa eurodeputeti Kostas Arvanitis, një anëtar i partisë së majtë Syriza, kritikoi mbështetjen e Belerit për Panayiotou në “X”, duke thënë: “Një partneritet midis Demokracisë së Re dhe ekstremit të djathtë në favor të Musk në Parlamentin Evropian”.
Ai e përshkroi më tej Panayiotou si “përfaqësuesin e Musk në BE dhe një mbështetës fanatik të sipërmarrësit amerikan të teknologjisë”.
Megjithatë, vlen të theksohet se mospëlqimi i publikut grek për Fidias, më tepër se shoqëria e tij me Elon Musk, mendohet se ka për bazë deklaratat kontroverse të Fidias, i cili njohu realitetin e “pushtimit turk të Qipros”, çka i revoltoi në masë grekët.
Gazeta greke thekson edhe faktin se Beleri është i dënuar me burg në Shqipëri për blerje votash.
Eurodeputetja e Demokracisë së Re, Eliza Vozemberg ndërhyri, duke e përshkruar mbështetjen e Belerit për Panayiotou si një “zgjedhje personale” që “nuk përputhet me qëndrimin politik të Eurogrupit të Demokracisë së Re”.
Vitin e kaluar, Fidias Panayiotou ngjalli zemërim në Japoni dhe u detyrua të kërkonte falje pasi postoi një video në YouTube ku shfaqej duke mos paguar biletën e trenit dhe si dhe u largua pa paguar faturën e mëngjesit në hotel me pesë yje.