Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi publik lidhur me përfundimin e hetimeve të SPAK ndaj vëllait të tij, Olsi Rama, duke hedhur poshtë akuzat e kreut të grupit parlamentar demokratik, Gazment Bardhi, për përfshirje në atë që konsiderohet si “laboratori i kokainës” i zbuluar në Xibrakë.
Rama tha se drejtësi foli me prova, teksa akuzoi Partinë Demokratike për fabrikim provash të rreme. Rama akuzoi PD-në se ka përdorur vëllain e tij “si mish për top”, për të goditur kryeministrin.
Rama tha se ndryshe nga se veprojnë kundërshtarët e tij politik, ai asnjëherë nuk është marrë me familjen e askujt.
“Dhe tani, lejomëni t’ju pyes:
Më keni dëgjuar të merrem ndonjëherë me fëmijët, me gruan a me ndonjë të afërm tjetër të atij katranit me bojë, të cilin ky Gazmendi që u bë sebep për këtë rrëfim të gjatë sot, e ka akuzuar publikisht, duke e quajtur për arsye botërisht të kuptueshme “babi i Zenit”- ishte ajo koha kur katrani i madh kishte humbur Lulin dhe vulën, ndërsa katrani me lule kishte gjetur Gazin dhe bravën.
Nuk besoj s’e më keni dëgjuar.
Po a keni dëgjuar nga goja ime që ta ngre hajdut që në sabah, e ta ul kriminel deri në aksham këtë “babin e Zenit”, apo këdoqoftë tjetër nga kundërshtarët e mi politikë, siç ka bërë ky “babi” i tërë katranëve të tij të vegjël me mua dhe me të gjithë kundërshtarët e vet – pa na lënë të vdekur e të gjallë të librit të shtëpisë pa bërë pis, me jashtëderdhjet e asaj zorrës shtëpiake që e quajnë akoma parti demokratike.
Nuk besoj s’e keni dëgjuar.
Natyrisht, nuk ua kam kursyer kur është dashur shpatën e shqipes sime, as atij “babit” që na mbeti peshqesh nga jetimorja e servilëve më të neveritshëm të Partisë së Enver Hoxhës, as “çunave e gocave të Partisë Demokratike” që na i bëri peshqesh përdhunimi qysh në lindje i asaj partie nga “babi” dora vetë.
Por ama, jam përpjekur gjithnjë të mos bëhem një më shumë ndër lehaqenet që shajnë, shpifin e gënjejnë se “kështu e paska politika”.
Partia jonë, forca popullore e shqiptarëve, ka mëkatet e veta padiskutim të tridhjetë e kusur viteve nga ardhja në jetë. Por nuk e ka mbi kurriz mëkatin e nxjerrjes së gjuhës jashtë, si thikë për të gërryer varret e familjes, për therur shpirtin e familjarëve të kundërshtarëve të vet dhe për gërmuar hendekun e urrejtjes, dasisë e helmit mes shqiptarëve.
Sa për veten, e kam ndarë mendjen prej vitesh tanimë, që gjithë ç’kanë thënë e do të thonë për mua, me të keq e me zero prova, janë një çmim, për t’iu paguar privilegjit të paçmueshëm të besimit për të drejtuar dje Tiranën, e sot gjithë Shqipërinë, dhe për të bërë histori, histori me fuqinë e votës së popullit.
E vetmja dhimbje e fortë është, se kushedi sesa herë në tërë këto vite që unë jam në arenën e baltës politike, familjarët e mi, nëna ime e ndjerë, babai im i ndarë nga kjo botë pa më parë një ditë të vetme në politikë, ime shoqe, prindërit e saj, fëmijët tanë, po edhe të tjerë në rrethin tonë familjar, i kanë paguar deri këtu një çmim shumë të lartë, tërësisht të pamerituar, zgjedhjes sime për t’u marrë me politikë”, tha Rama.
- Beteja e Edi Ramës me drejtësinë nuk ka nevojë për spektakël, por për reforma - 04/02/2026
- “Kërkuat rritje pagash edhe për ata që i përjashtoi vettingu”, Rama i përgjigjet Shoqatës së Gjyqtarëve: Doni që të përfitojnë edhe të korruptuarit - 04/02/2026
- Ish-zyrtarë e deputetë të PD morën poste në administratë, Berisha demokratëve: Nuk kemi keqardhje për ta - 04/02/2026