Ka ndërruar jetë pedagogia dhe shkencëtarja Genciana Abazi-Egro (1971-2024). Lajmin e ka bërë të ditur Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
“Më datën 25 gusht 2024 është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare studiuesja Genciana Abazi- Egro, prej vitesh punonjëse shkencore pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë).
Genciana Abazi-Egro ka qenë studiuese e afirmuar në fushë të gjurmimeve mbi tekstologjinë dhe orientalistikën, mbi letërsinë e divanit dhe figurat kryesore të rrymës letrare të autorëve që kanë shkruar me alfabet arab. Genciana Egro është autore e dy botimeve të rëndësishme kritike të veprave të Nezim Beratit (2009) dhe Hasan Zyko Kamberit (2017), realizuar dhe dalë nga shtypi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (Departamenti i Studimeve Letrare).
Genciana Egro është autore e një numri të konsiderueshëm shkrimesh dhe artikujsh shkencorë mbi autorë, dukuri e vepra që lidhen me letërsinë shqipe të shkruar me alfabet arab, por dhe drejtuese shkencore e disa punimeve doktorale të mbrojtura me sukses në shkollën e studimeve doktorale pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë. Një pjesë e mirë e artikujve të saj mbi këto fusha studimi janë të botuara në revistat “Studime filologjike” dhe “Studime historike.
Nga janari i vitit 2017 ajo ka qenë dhe titullare e lëndëve Analizë Kritike e Ligjërimit dhe Semiotikë pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Largimi i saj nga jeta është një humbje e madhe për të afërmit e saj, po dhe për komunitetin shkencor të cilit ajo i përkiste”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Dr. Genciana Egro ishte bashkëshortja e Dr. Dritan Egro.
- Gjyqi historik në Francë/ Presidenti Macron falënderon Gisele Pelicot: Dinjiteti dhe kurajoja juaj kanë inspiruar botën! - 20/12/2024
- Përqafime dhe të qeshura! Dalin pamjet nga takimi i Ramës, Kurtit dhe Osmanit/ Momenti epik kur kryeministri i jep dorën edhe Spiropalit - 20/12/2024
- Sopranoja: Parashqevia komuniste? Godole injorante dhe me prejardhje komuniste! - 20/12/2024