Të moshuarit në qytetin e Maliqit tashmë do të kenë një ambient ku të kalojnë kohën e tyre të lirë. Pas rikonstruksionit total, ka hapur dyert qendra ditore për të moshuarit, një bashkëpunim i Këshillit të Qarkut Korçë, Dorcas Albania dhe Fondacionit Mara. Realizimi i këtij projekti u bë i mundur falë financimit të Këshillit të Qarkut në vlerën e 1 milion lekëve, teksa donatorët e tjerë siguruan mobilimin dhe materialet e tjera mbështetëse për funksionimin e qendrës. Sipas kryebashkiakut Gëzim Topçiu, ky projekt synohet të shtrihet edhe në njësitë administrative.
“Është një projekt shumë i suksesshëm, të cilin kemi dashur ta realizojmë prej kohësh, por ishte e pamundur si nga ana financiare dhe nga mungesa e ambienteve. Tashmë jemi në finalizimin e këtij projekti, iniciuar nga ana jonë nëpërmjet financimit të Këshillit të Qarkut të Korçës, të cilin dua ta falenderoj për suportin e parë dhe në momentin e dytë Dorcas dhe fondacioni Mara që bënë të mundur të finalizohej ky projekt në një kohë shumë të shpejtë. Sot jemi në një ambient krejtësisht të reformuar, ku pensionistët do të gjejnë kushte dhe shërbim cilësor. Të shpresojmë që mbështetja nuk do të na mungojë edhe në vitet në vazhdim, pasi synojmë që këtë eksperiencë ta shtrijmë edhe në qendrat e njësive administrative dhe në fshatrat më të mëdha që ka bashkia jonë,” ka thënë kryetari i bashkisë Maliq.
Të pranishëm në hapjen e qendrës kanë qënë edhe të rinj nga Hollanda, pjesë e Fondacionit Mara.
“Ne jemi një fondacion studentor i cili operon në Hollandë, i krijuar prej shumë vitesh. Studentët kanë për qëllim të ndihmojnë ballkanin, por vitet e fundit jemi fokusuar në Shqipëri. Kemi qënë edhe herë tjetër këtu, por me një grup më të vogël, kësaj here pjesë e udhëtimit janë shumë të rinj, pasi ne duam të prekim nga afër realitetin këtu dhe më pas të kemi mundësi të mbledhim më tepër fonde për të ndihmuar njerëzit në Shqipëri,” është shprehur Floris Hoppenbrouwers, Përfaqësues i Fondacionit Mara.
Përmes këtij misioni studentët nga Hollanda, japin një mesazh për gjithë të rinjtë.
“Jemi shumë krenarë të shohim që puna jonë e gjithë vitit të rezultojë me hapjen e qendrës për të moshuarit, dhe të shohim funksionimin e saj. Mesazhi që ne duam të japim për të gjithë të rinjtë, është që nëse ne jetojmë në kushte më të mira, të gjithë mund të japim diçka nga vetja për të ndihmuar, sidomos të moshuarit, të cilët jetojnë vetëm apo kanë nevojë për mbështetjen tonë. Fakti që ne jemi ndjerë shumë mirë në bashkepunimet e mëparshme që kemi patur në Korçë do të na bëjë që të rikthehemi sërish këtu,” ka thënë më tej Hoppenbrouwers.
Qendra ditore për të moshuarit do të qëndrojë e hapur 5 ditë të javës. Të gjithë ata që do të frekuentojnë qendrën do të marrin shërbimin e nevojshëm shëndetësor e social. Ata do të kenë mundësi të zhvillojnë lojëra tavoline, si dhe të bëhen pjesë e aktivitete të ndryshme të organizuara nga shërbimi social i bashkisë, por edhe organizatave të ndryshme jofitimprurëse që kanë në fokus moshën e tretë.












