Nga Ledio Alite
Nga dikush në një emision të bujshëm televiziv shqiptar dëgjova një shprehje që më erdhi për të qeshur. “Pa para nuk ka jetë”. Një shprehje që provokoi debat në lidhje me temën sociale që po diskutohej mbi raportet e meshkujve dhe femrave sot në Tiranë. Megjithatë kjo shprehje sot në fakt hap debate në shumë tema të tjera diskutimi.
Pse është krijuar një përceptim i tillë post-pandemik në shoqërinë tonë?
Një arsye që të vjen ndër mend është rrotullimi ciklik i shoqërisë, ku pas një periudhe lirie dhe hapjeje, vijnë periudha frike dhe rezervimi ndaj përqasjeve shoqërore që njeriu ka. Kjo është arsyeja më e diskutueshme pasi kërkon një interpretim të përgjithshëm dhe në të shumtën e rasteve përfshin një analizë të hollë.
Më shumë se kaq, po të analizosh shprehjen e cituar më sipër, ajo mund të interpretohet në dy drejtime, si frikë ose si vlerësim real objektiv. Pra, disa syresh mund të jenë të kompleksuar dhe të frikësuar se sa karakteri i tyre do të përballojë pjesëmarrjen në shoqëri pa para, dhe disa të tjerë mund të jenë anëtarë me vlera të cilët mendojnë se nuk gjejnë akses në gjëra interesante pa patur një kapital që të përbëjë mjetin e interesit për të bashkëvepruar me individët e tjerë të elitës.
Nga drejtimi i dytë, mund të deduktojmë se është krijuar një hendek problematik midis shtresës së mesme, njerëzve të vlerave intelektuale dhe njerëzore pa ndonje kapital të madh, dhe shtresës së lartë, disa të vlerave intelektuale me kapital, por edhe disa të anti-vlerave po ashtu me kapital. Në shtresat e larta në perëndim, duke qenë se janë shoqëri kapitaliste të krijuara prej qindra vitesh tashmë, shumica e anëtarëve mund të themi se i gëzojnë vlerat intelektuale, pasi edhe nëse stërgjyshërit kanë qenë njerëz të anti-vlerave, pasuria e trashëguar e ka ndihmuar rrugës familjen të përmirësojë qasjen e anëtarëve të vet në shoqëri. Mirëpo në shtresat e larta në Shqipëri, në një shoqëri kapitaliste të krijuar pas vitit 1991, jemi ende në brezin e parë e në pak raste atë të dytë (trashëgimtarët e rradhës së parë) të njerëzve që u përkasin me të drejtë shtresës së lartë për sa kohë shifrat flasin seriozisht mbi mirëqënien e tyre. Nuk ka asgjë të keqe që më në fund kjo shoqëri ka prodhuar njerëz të pasur. Por problemi qendron duke qenë se ne jemi vend i vogël, dhe praktikisht deri dje hanim bukë me sheqer me njëri-tjetrin, anëtarë të shtresës së mesme shpesh tundohen nga shkëlqimi i lartë, dhe në të njëjtën kohë ato që shohin nga lart duke qenë se e kuptojnë këtë qasje inferiore në koshiencën e atyre, zgjedhin të izolohen si në shekullin e 18 mes damave dhe kontëve në organizimin, dhënien e marrjen midis tyre.
Pikërisht ky izolim i shtresës së lartë, ka sjellë një kaos në shtresën e mesme, e cila sigurisht legjitimohet të kërkojë bashkim. Tek e fundit, është vetëm një ndarje ekonomike e shoqërisë, asgjë më shumë. Në këtë kaos, pasiguria, iluzioni i zgjuarësisë dhe imitimi i neveritshëm ecin krah për krah duke sjellë një mpirje të përgjithshme të marrëdhënieve njerëzore. Një pritje, një hezitim në vendosjen e urave të komunikimit, pasi perceptohet sikur çdo kredit i humbur në një shoqëri financiarisht delikate, të çon në humbjen e shanseve për t’iu afruar “La Bella Vita di Secolo 21”. Kjo është arsyeja pse natyrshëm doli shprehja “Pa para nuk ka jetë”. Sepse shtresa e mesme e shoqërisë dita ditës po mendon që vetëm shtresa e lartë po e jeton jetën. Një gjykim fasade, në shekullin e fasadës, pa mbajtur parasysh shprehjen e famshme amerikane “More money, more problems” (Më shumë para, më shumë probleme). E turpshme për civilizimin kjo ndarje.
Vetëm një dridhje e padukshme, mund ta shkundë pluhurin e një bote konfuze, pluhurin e injorancës dhe mentalitetit të gabuar e të vjetër edhe mes më të mirëve. Deri atëherë, ta lesh të rrjedhë është këshilla më e mirë, sepse siç thonë koreanët: Itgehane. Të bën të harrosh…
- Shqipëria nuk është e hajdutit Sali Kulla dhe e dhëndrit budalla! - 17/05/2026
- Analiza: Kush e ka pushtetin e vërtetë në Iran? - 17/05/2026
- Kuotat e Trumpit bien, aksionet në bursë ngrihen… - 17/05/2026