Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe grupi I tij mbështetës u takuan sot me një përfaqësi të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Kryefjala e takimit me ambasadorët ishte reforma territoriale e cila po diskutohet në komisionet parlamentare. Në takim u vu re mungesa e kryetarit të PD Sali Berisha dhe grupimit të Rithemelimit.
Të pranishëm në takim ishin ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ambasadorët e BE-së, Italisë, OSBE-së, Gjermanisë dhe Anglisë. Ndërsa nga selia blu, janë Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Grida Duma, Dhurata Çupi, Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhi.
Në një deklaratë për mediat pas takimit, Alibeaj tha se kishin folur lidhur me reformat e iniciuara nga PD përfshirë edhe atë territoriale.
“Objekt i takimit ishin të gjitha ato reforma që i kemi nisur në parlament dhe ju i keni ndjekur. Takim i parë që do të pasohet nga të tjerë, qoftë në këtë format apo të tjera”, tha Alibeaj.
Deputetët e Partisë Demokratike, mbështetës të Enkelejd Alibeaj kanë dorëzuar sot në Kuvend draftin final për reformën territoriale. Ky draft propozon ndarjen e vendit në 94 bashki dhe në 3 ose 6 rajone.