Të shtunën, më 17 shkurt, Teatri Luxor në Zutphen (Hollandë), nderoi kineasten shqiptare Xhanfise Keko (1929-2007) me shfaqjen e filmit të saj “Tomka dhe shokët e tij”.
Lidhur me këtë event, blogu ACHTERHOEK NIEUWS vandaag, shkroi:
Brenda ish-bllokut komunist, Shqipëria e diktatorit Enver Hoxha ishte një entitet i izoluar, i vetëqëndrueshëm, ku artistët prodhonin vepra që respektonin rreptësisht udhëzimet e partisë. Por kineastja Xhanfise Keko (1929-2007) arriti të bënte filma shumë origjinalë për fëmijë, sa poetikë aq edhe subversivë.
Xhanfise Keko
Xhanfise Keko ishte regjisorja e parë femër në Shqipëri. Ndërmjet viteve 1952 dhe 1984 ajo drejtoi 29 filma. Puna e saj depërtoi në realizëm dhe hyri në fushën e ëndrrave, butësisë dhe fantazisë. Keko studioi montazh në Moskë në fillim të viteve 1950. Për njëzet vitet e ardhshme ajo punoi si montazhiere në Kinostudio Shqipëria e Re. Më pas ajo vendosi të ndalonte montazhin e filmave të të tjerëve dhe të fillonte të bënte filmat e saj.
Rizbulimi
Në vitin 2013, gjashtë vjet pas vdekjes së saj, gazetari i njohur i filmit Mark Cousins e prezantoi këtë kineaste, krejtësisht të panjohur në Perëndim, me një artikull në revistën filmike “Sight and Sound”. Shfaqjet e “Tomka dhe shokët e tij” (1977) pasuan në vitin 2014 në Britaninë e Madhe dhe në vitet në vijim pati shfaqje në Francë, SHBA, Izrael dhe Danimarkë. Shfaqja në Zutphen është shfaqja e parë e punës së Xhanfise Kekos në Holandë.
Tomka
Historia e Tomkës dhe shokëve të tij zhvillohet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tomka, një djalë i vogël, luan futboll me shokët e tij çdo ditë në një fushë në breg të lumit, derisa një ditë gjermanët e pushtojnë befas dhe fushojnë mu në fushën e tyre: e vetmja tokë e sheshtë në zonën kodrinore. Përballë këtij fakti, fëmijët e indinjuar përpiqen të hakmerren dhe të ndihmojnë në hedhjen në erë të kampit ushtarak të armikut.