13.5 C
Tirana
17 / 05 / 2026

Hapet rruga drejt procesit të lumnimit të Át Anton Harapit

Kryedioqeza metropolitane e Shkodër-Pultit, në marrëveshje me të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë, vendos të mbledhë dëshmi e dokumente mbi jetën dhe martirizimin e meshtarit të shquar shqiptar, Át Anton Harapi, teolog, filozof, sociolog dhe prozator. Hapet kështu rruga drejt procesit të lumnimit të françeskanit, që nuk u përfshi në 38 martirët e parë shqiptarë të komunizmit, shpallur të lumë nga Kisha

R.SH. – Vatikan

 Át Anton Harapi, meshtar i Urdhrit të fretërve minorë, teologu, filozofi, sociologu dhe prozatori i mirënjohur e jo më pak, edhe atdhetari i flaktë shqiptar, është për udhë drejt lumnimit. Jo më larg se më 23 dhjetor, kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, nënshkroi vendimin e ipeshkvijve shqiptarë për të mbledhur të gjitha dëshmitë dhe dokumentacionin, që ka të bëjë me jetën, veprën dhe martirizimin e françeskanit të madh.

Kujtojmë se ai qe një nga katër regjentët në qeverinë e krijuar gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë, gjë që iu konsiderua si mëkat i pafalshëm nga komunistët, të cilët e pushkatuan, së bashku me Lef Nosin dhe me Maliq bej Bushatin, në vitin 1946, në periferi të Tiranës. Janë të shumtë besimtarët katolikë, që vazhdimisht kanë kërkuar njohjen e vlerave e të virtyteve të tij nga Kisha, duke e ditur se martirizimi i Át Anton Harapit i atribuohet kryesisht urrejtjes për fenë të atyre, që nuk deshën të marrin parasysh kontributin e tij në favor të atdheut dhe të shqiptarëve, edhe nën nazistët gjermanë, si edhe nuk deshën të lexonin – për ta kuptuar intelektualin e shquar – kryevepra si “Andrra e Pretashit”, “Valë mbi valë”, “Vlerë shpirtnore” dhe “Shqiptari dhe bota e tij”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x