Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të drejta një pjesë të shkaqeve të ankimit të ish-kryetarit të Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci kundër shkarkimit të tij, por bilanci negativ i mbetur pas rishikimit të analizës financiare ka qenë sërish i madh.
Bashkë me konstatimin për deklarime të pasakta, bilanci negativ e ka bindur trupin gjykues se vendimarrja e shkallës së parë duhej lënë në fuqi.
Skënder Haluci u shkarkua prej KPK-së më 5 mars 2020, pasi u konstatuan probleme të shumta për pasurinë, si dhe një balancë negative në vlerën e 69 milionë lekëve. Ai e kundërshtoi vendimin si të padrejtë e të pabazuar në provat e administruara.
Po ashtu, Haluci ngriti shkaqe që lidhen me aspektet procedurale të procesit të rivlerësimit të kryera në Komision, por ato u rrëzuan si të pabazuara. Një prej këtyre shkaqeve ku janë ngritur pretendime se vendimi Komisionit është marrë bazuar në fakte të pavërteta që nuk i përgjigjen realitetit dhe provave që janë paraqitur, është vendosur prej Kolegjit që të trajtohet në analizën e shkaqeve të ngritura në lidhje m vlerësimin e pasurisë.