Miley Cyrus ka publikuar albumin e saj më të fundit, “Endless Summer Vacation”.
Albumi i tetë në karrierën e këngëtares doli në mesnatë. Ndërkohë, pas 7 javësh nga publikimi, hiti “Floëers”, vijon të kryesojë listat në mbarë botën dhe të analizohet nga fansat e media për përmbajtjen e saj dhe lidhjen me ish-bashkëshortin Liam Hemsworth.
Albumi i ri duket se është frymëzuar nga ulje-ngritjet e dashurisë. Në “Rose Colored Lenses” ajo flet për fazën e ëmbël të një lidhjeje, në “You” kërkon magjinë e netëve të vona dhe dashurinë e përjetshme.
“Muddy Feet” është më e përfolura aktualisht sepse fansat mendojnë që pikërisht në këtë këngë Miley ka rrëfyer detaje për tradhtitë e shpeshta nga Hemsworth. Në “Jaded”, një baladë rok, ajo i bën thirrje një ish-i që refuzon të pranojë gabimet e tij ndërsa në fund të albumit vijon me dashurinë ndaj vetvetes dhe të ecurit para.
Së bashku me albumin, Miley ka publikuar edhe videoklipin e këngës “River”. Ndërkohë ajo ka bërë të ditur një tjetër projekt që publikohet sot, një bashkëpunim me Disney.