Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama: I nderuar kryeministër, I dashur Dritan,
Në radhë të parë dëshiroj të shpreh falënderimet edhe në emër të të gjithë delegacionit tonë, jo për formalizëm diplomatik, por sepse edhe njëherë, ne e kemi ndjerë në vetë të parë ngrohtësinë e mikpritjes dhe afrimitetin vëllazëror mes nesh.
Dua ta përsëris edhe këtu atë që thashë gjatë mbledhjes se Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë sesa fqinj dhe mund të bëjnë shumë më tepër sesa ç’kanë bërë deri më sot.
Ne takohemi në një moment shumë sfidues për mbarë Europën dhe për vendet tona dhe në këtë kontekst, përveç sfidave të drejtpërdrejta, vlera e kësaj ngrohtësie dhe kësaj vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe.
Kemi qenë së bashku, kemi vizituar Kievin dhe presidentin Zelensky në respekt të mandatit tonë si kryeministra të dy vendeve që janë të rreshtuar qysh në ditën e parë të agresionit rus në krah të Ukrainës, të dy vende që janë tërësisht të linjëzuara me Bashkimin Europian, të dy vendeve anëtare të NATO-s dhe si vizita jonë në Kiev, si përpjekjet tona të përbashkëta në të gjitha këto fronte, janë themeli i një marrëdhënieje që ka një potencial të jashtëzakonshëm për tu thelluar dhe fuqizuar më shumë.
E vërteta është që vitin e kaluar, krahasimisht me të këqijat e përbashkëta të një lufte e cila ka nisur jo thjesht për të copëtuar Ukrainën, por mundësisht për të gjunjëzuar Europën përmes kthimit të energjisë në armë dhe nxitjes eksponenciale të inflacionit, ne kemi përjetuar disa momente shumë të mira në aspektin e ecurisë sonë drejt integrimit të plotë në Bashkimit Europian.
Kemi parë se si Bashkimi Europian është bërë më i hapur dhe më i ndjeshëm më në fund, gjeopolitikisht ndaj rajonit. Kemi parë sesi më në fund Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i çelën negociatat. Kemi parë sesi më në fund Republika e Kosovës mori një datë për liberalizimin e vizave. Kemi parë më në fund se si Bosnje dhe Hercegovinës iu dha statusi kandidat. Ashtu sikundër kemi parë që për herë të parë në historinë e saj BE-ja u spostua jashtë kufijve të BE-së për të mbajtur një Samit në Tiranë apo sesi në Malin e Zi u mbajt Këshilli për Stabilizim dhe Afrim me BE-në.
Të gjitha këto janë pozitive, por BE-ja është një korsi e përbashkët, shpejtësia e të cilës, në këndvështrimin tim, lidhet pandashmërisht me korsinë e bashkëpunimit rajonal dhe në këtë pikë, Shqipëria dhe Mali i zi janë plotësisht të angazhuara.
Unë dëshiroj ta falenderoj kryeministrin për angazhimin e tij në vetë të parë për gjithë këtë proces, ashtu sikundër dëshiroj ta falenderoj edhe për shprehjen e dëshirës për të organizuar një samit të Ballkanit të Hapur në qershor këtu në Malin e Zi, në ndërkohe që procesi Procesi i Berlinit do të ketë samitin e vet ne Tiranë në fillim të vjeshtës. Data për tu përcaktuar së shpejti në takimin që unë do të kem në Berlin me kancelarin Scholz.
Unë këmbëngul që Ballkani i Hapur dhe këtu kemi dakordësi të plotë me Kryeministrin e Malit të Zi, është i domosdoshëm për të jetësuar në një ritëm më të shpejtë të gjitha ato që janë parime dhe kërkesa që burojnë nga Procesi i Berlinit. Kaq e thjeshtë është kjo dhe natyrisht që edhe në këtë samit të radhës, pasi të japin dakordësinë dhe të tjerët, do të ftohen që të gjithë që të jenë pjesë.
Nuk ka asnjë kundërshtim mes të dyjave, janë dy nisma plotësisht komplementare, të cilat kanë nevojë për njëra-tjetrën, kanë shumë nevojë për njëra-tjetrën.
Ne nuk mund të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit, në një proces që është një proces i Ballkanit, por duhet që të vëmë fuqitë tona të përbashkëta për të jetësuar ato parime dhe ato ide të cilat janë themeli i Procesit të Berlinit dhe kur vjen puna tek jetësimi, ky është problem ynë kryesor dhe më vjen shumë mirë që kemi firmosur një marrëveshje shumë të rëndësishme në aspektin e jetësimit të vizioneve dhe të planeve, që është marrëveshja për ndërtimin e urës mbi Bunë, e cila do ta kthejë distancën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë ose më saktë Ulqinit dhe Velipojës në 300 metra, nga dhjetëra e dhjetëra kilometra, një absurditet.
Kjo nuk është një marrëveshje e thjeshtë, kjo është një marrëveshje jetësimi e bazuar në projektin e zbatimit është realizuar nga FSHZH. Projektin e zbatimit e kemi realizuar me fondet tona, tani me fonde të përbashkëta do të bëjmë edhe urën se siç i thashë edhe Dritanit, këtu në Mal të Zi i keni rrogat më të larta dhe nuk shkon që tua paguajë Shqipëria edhe urën.
Ndërkohë lajmi tjetër shumë i mirë është që ka filluar puna për konsorciumin mes Shqipërisë, Malit të zi, Bosnjë-Hercegovinës e Kroacisë për gazsjellësin Adriatiko-Jonian, i cili duhet të përshpejtohet dhe mund të përshpejtohet vetëm përmes ndërveprimit sepse është një vepër që kalon në shumë kufij dhe në shumë vende. Ne kemi probleme kur ndërtojmë një vepër brenda kufirit tonë, tani parafytyroni sesa më sfiduese është të ndërtojmë një vepër jashtë kufijve tanë, brenda dhe jashtë.
E treta që është po kaq e rëndësishme është dakordësia për të fuqizuar më tutje bashkëpunimin në aspektin e fondeve, e thithjes së fondeve për projekte ndërkufitare dhe këtu kemi rënë dakord të angazhojmë drejtpërdrejtë njerëzit, ashtu sikundër dhe për të sinkronizuar punën për hekurudhën dhe për Korridorin Blu. Në të dyja Shqipëria ka ecur, por është shumë e rëndësishme që dhe Mali i Zi të shtyjë nga ana tjetër sepse përndryshe, financueshmëria e këtyre projekteve bëhet më e vështirë pasi me të drejtë, financuesit pyesin: “po mirë do ta çoni hekurudhën deri në kufi, po pastaj si do bëhet? apo do zbresin nga treni dhe do marrin varkën për të çuar mallrat më tutje?”
E fundit qe kam, por jo nga rëndësia, është që ky potencial i jashtëzakonshëm bazohet në një histori kuptimplotë mes shqiptarëve dhe malazezëve, mes Shqipërisë dhe Malit të zi, mes të dy anëve të kufirit, ku e kam thënë dhe një herë, mos gabohem në një tjetër konferencë shtypi më parë, këtu në Mal të Zi, deri në vitin 1945 lëvizje përmes liqenit. Në arkivën e fotografive ka plot fotografi të dinastisë Marubi për mjetet lundruese që qarkullonin njerëzit nga liqeni dhe një nga rrëfimet e gjyshes sime e cila ka lindur dhe është rritur në Shkodër ishte ky, që në Mal të Zi shkohej përmes liqenit, me lundrim.
Sot, ne ende nuk e kemi këtë dhe prandaj kemi vendosur që ta hapim rrugën me një jaht të kryeministrit të Malit të zi, i cili nëqoftëse na mban të dyve, do të jetë një jaht i denjë për të kaluar nga njëra anë, në tjetrën dhe për të lajmëruar që hapet lundrimi, por pasi të bëjmë disa detyra shtëpie që kanë të bëjnë me thellimin në disa pika të lumit dhe për t’i dhënë fund dhe një historie tjetër, që kryeministri i Malit të Zi i cili disponon këtë gomonen e vogël, duhet të shkojë të marrë leje në Tivar, të presë 24 orë që ta miratojnë lejen ata që punojnë atje, pastaj kur të futet në Shqipëri, duhet të hyjë fshehtas, me mbështetje deputetësh të Shkodrës, që të mos e kapë policia dhe i vetmi fakt, e vetmja arsye që nuk i ka ndodhur edhe Dritanit ajo që ndodhi me profesor Petraq Milon, është që Dritani njihet nga “krifa e luanit’’ dhe nuk e ngatërron njeri.
Dhe dua me këtë rast, përtej shakasë, ta falënderoj për faktin që qysh në sekondën e parë, të daljes së asaj videos së shëmtuar i ka telefonuar profesorit, i ka shprehur ndjesën, ai dhe ministri i Brendshëm. Janë marrë të gjitha masat në raport me personat në fjalë dhe e gjitha kjo është bërë me xhentilesë maksimale, por edhe me urtësi maksimale.
Këto janë raste që ndodhin,. Mund të ndodhin edhe në ndonjë rast, patjetër, shqiptarëve me policinë shqiptare, apo malazezve me policinë malazeze, por këto janë raste që shërbejnë si burim frymëzimi për të gjithë patriotët dhe heronjtë në potencë të rajonit tonë.
Këto janë rastet që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e radhës dhe kjo është arsyeja pse ne na duhet shumë më tepër bashkëpunim rajonal, na duhet shumë më tepër bashkëpunim pa kufi, jo se çdo popull, si çdo pyll, do të shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë por sepse sa më shumë që hapësira të jetë e përbashkët aq m pak derrat do mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve tona. Faleminderit!
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazović: Mirëdita të gjithëve! Kam nderin dhe kënaqësinë të mirëpres kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama dhe të gjithë ministrat në qeverinë e tij të cilët sot ishin mysafirë në Podgoricë në mbledhjen e përbashkët të cilën qeveria e Malit të Zi e organizoi me qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Sot nga Podgorica dërguam një mesazh të bukur, mesazhin e bashkëpunimit, mesazhin e dedikimit të të ardhmes të përbashkët e cila do të bazohet në zhvillimin ekonomik dhe për atë që do të jetë bashkëpunimi më i fuqishëm në të gjitha segmentet kur flasim për të dy qeveritë.
Jam krenar që kemi vendosur nënshkrimet për ndërtimin dhe krijimin e projektit të madh infrastrukturor, urës në Bun, e cila jo vetëm do të lidhë dy shtetet por do të mundësojë që të bëhet një produkt i ri turistik edhe për Malin e Zi, por edhe për Shqipërinë.
Synimi ynë është që njerëzit të kenë akses më të lehtë që të zvogëlojnë trafikun në veçanti gjatë muajve të verës, por edhe për perspektivën e cila do të jetë zhvillimi i kësaj zone të tërë, të jetë në nivel më të lartë.Folëm dhe për lundrueshmërinë e lumit të Bunës. Kryeministri Rama ndërmori disa hapa për të mundësuar lëvizjen e papenguar në lumin Buna dhe pas Luftës së Dytë Botërore kur u ndalua së ekzistuari kjo linjë në mes të Ulqinit dhe Shkodrës, e tani do thoja mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, që pas 70 apo 80 viteve të rikthehet përsëri.
Pra, dëshirojmë të bëjmë çdo gjë edhe në segmente të tjera edhe kur bëhet fjalë për shëndetësi, edhe mbrojtje, edhe kur bëhet fjalë për punë të brendshme, kur bëhet fjalë për bujqësi dhe peshkim.
Ne dëshirojmë thjesht të themi që Mali i Zi dhe Shqipëria e shohin perspektivën e madhe në raportet e ndërsjella dhe bashkëpunimin e ndërsjellë e cila duhet të rezultojë me jetesën më të mirë të qytetarëve të vendeve.
Ne jemi të dedikuar drejt integrimit europian. Të ardhmen e përbashkët e shohim në Bashkimin Europian dhe dëshirojmë të japim kontribut që prej këtu të dërgohet edhe ky mesazh.
Që të mos ta zgjat, me siguri do ketë dhe pyetje, mendoj që raportet që ka qeveria e Malit të Zi me qeverinë e Republikës së Shqipërisë janë shembull për Ballkanin Perëndimor.
Besoj që këtë shembull duhet ta ndjekin dhe vende të tjera në rajon dhe qeveria e Malit të Zi do të jetë e përkushtuar që mbledhje të përbashkëta të organizojë dhe me vende të tjera fqinje. Pse? Sepse kjo është mënyra më e mirë që njerëzit të njohin njëri-tjetrin, të nënshkruajnë marrëveshje të rëndësishme dhe të kuptojnë se sa problemet tona janë të ngjashme në disa situata thuajse të njëjta dhe të kuptojnë që të gjithë së bashku mund të kemi prosperitet.
Dëshirojmë të krijojmë një të ardhme tjetër, një të ardhme me prosperitet, të fokusuar në biznes dhe dëshirojmë që temat negative që kishte me bollëk në Ballkanin Perëndimor të mbesin prapa nesh.
Unë dhe njëherë i falenderoj të gjithë ministrat që erdhën sot, nga njëra dhe tjetra anë, faleminderit mikut tim Edi Rama për mirëkuptim dhe besoj që Shqipëria dhe Mali i Zi sot me krenari mund të thonë që raportet e tyre janë ngritur në nivele më të larta. Edhe deri më tani ishin të mira, por me marrëveshjet konkrete kemi arritur të rezultojmë dhe të faktojmë marrëveshjen tonë. Qytetarët nga ne presin që më shumë të punojmë për infrastrukturë, për progres ndërsa gjërat të cilat janë negative t’i lëmë pas vetes dhe thjesht të shikojmë drejt të ardhmes.
Faleminderit!