Deputeti Agron Gjekmarkaj, në fjalën e tij në Kuvend ka deklaruar se kundërshtari duhet mundur, por nuk duhet të çnjerzohet.
“Kundërshtari kudo duhet mundur po nuk duhet të çnjerzohet, nuk duhet të ndyhet, nuk duhet të dënohet nga gjykatat edhe kur kryen një shërbesë publike. Dhe këtu kemi një rast së afërmi, rastin e deputetit Salianji”, tha ai.
Gjekmarkaj deklaroi se pavarësisht pakënaqësive që mund të ketë brenda PD, ato duhen tejkaluar pasi deputetët janë zgjedhur nga shqiptarët për t’i përfaqësuar.
Fjala e plotë:
Një nga gjërat që na ka mbajtur larg nga Europa pos pushtimit të gjatë otoman në kohët moderne është fakti që sistemi politik që na u imponua nuk pranonte opozitën dhe opozitarizmin.
Sapo në këtë vend lindi opozita dhe filloi opozitarizmi në të njëjtën kohe nisi përpjekja për shtet të së drejtës, për integrim, për mendesi, kulturë, standarde, sjellje dhe ligje europiane.
Kjo aulë në vetvete është dëshmia e realitetit të shndërruar në iluzion dhe të iluzionit që mbetet realitet.
Më shumë se kudo tjetër ketu është folur për Europen dhe lidhjen jetike të vendit tonë me të.
Fjala “integrim” është më e përdorura në keto 32 vite liri, më e keqperdorura njëkohësisht, më e dashura dhe më nazikja.
Të gjithë mundohemi të flirtojmë me të.
Ajo ka mbetur ashtu si në antikitet e një bukurie magjepsëse e të pakapshme që na fton si Zeusin të transformohemi në dema të bardhë për ta joshur.
Por ëndja jonë e bind atë ngadalë, segmete segmente, aqsa na krijon perceptimin qe kemi të bëjme me një vije horizonti që sa më shumë i afrohemi po aq ajo na largohet.
Ajo na dukej më afer kur në tokën tonë vinte Papa Gjon Pali, Presidenti Bush, Papa Françesku, Sekretaret Clinton e Kerry, Kancelarja Merkel apo të gjithë lideret e Europes kryesuar nga Sholz, Makron, Meloni etj së bashku në një samit por ende shumë larg kur mbetemi ketu vetem me njëri-tjetrin.
Atyre me garë frenetike rendim tu demostrojmë gjithçka perendimore ruajtëm nëpër shekuj, kode zakonore, ungjij, xhubleta, epos, fustanella, polifoni, gjuhë, beteja për civilizimin, papë, heronj, shenjtorë e shkrimtare dhe sapo ata ikin kthehemi tek fatalitetet, krusmat, përqafimet e hidhura, mentalitetet apo flama që na mbajti larg saj ku hilja i zë vendi rregullit, ku uni sakrifikon të të tëren, ku autoritarizmi përze tolerancen, ku interesi mund të ardhmen.
Në emer të Europës dhe integrimit në të, kemi akuzuar njëri tjetrin në menyrë shfarosëse, të egër aspak europiane.
Në Kryeqytetet e kontinentit Opozita dhe Pushteti janë kundershtarë që ndahen për ide dhe programe pa e thyer një kontekst etik, atë lubrifikant human që frymëzon sistemin demokratik!
Ne jemi mesuar me gjithë progresin e bërë nga firmosja e marrëveshjes së asocim stabilizimit, nga statusi kandidat, nga çelja e negociatave për antarësim çfarë s’kemi parë, degjuar e pertypur.
Pushteti gjithmonë ka marrë e merr çdo meritë dhe kemi pranuar që opozita të zhvishet prej tyre.
Kemi parë sipas vizioneve danteske, sesi ëngjujt me aurë rrezatuese mbi kaptinë mbretërojnë në qiell dhe djajtë rrinë poshtë me këmbë në akull, sesi rrëkeja e fjalëve pa mbarim pa fisnikerinë Don Kishoteske ndan të miren dhe të keqen, sesi zelli i pakufi prej jagove poziciononte evropianet përkundrejt anadollakve, sesi të etur jemi si udhëtarët e shkretëtirës në përvetësim meritash dhe të pamëshirshëm si piratët në zhveshjen e tjetrit nga çdo begenisje a stoli virtyti.
Po, kundershtari kudo duhet mundur po nuk duhet të shnjerzohet, nuk duhet të ndyhet, nuk duhet të dënohet nga gjykatat edhe kur kryen një shërbesë publike.
Sot në këtë pikë të rendit të ditës flitet për rolin e Kuvendit në proçesin e integrimit europian.
Në mos shaka, paradoks ngjan. Kuvendi ynë është kthyer në gjykatë i cili ngre pretenca dhe merr vendime sesi deputet e opozitës të ndëshkohen masivisht për qendrimet dhe fjalët.
Preçedenti i gjykimit këtu brenda për atë që thuhet jashtë është shumë i rëndë. Deri tani janë ndëshkuar 25 deputetë.
Ata po kërkojnë një gjë të thjeshtë përtej formës që detyrohen të përdorin-ardhjen e Kryeministrit në sallë për debat për një çështje sensitive si ajo që tani ka emrin Mgonigal.
Ne mbase nuk e duam njëri tjetrin, po nuk e zgjidhëm me njëri-tjetrin, kontrata me kushtetuten na detyron ta pranojmë njëri tjetrin.
Ndoshta edhe në grupin e PD ka nga ata që nuk më duan mua dhe unë ndonjë prej nesh, po kjo nuk është më çeshtje dëshirash, i bie të jetë çeshtje këndvështrimi emocional dhe interesi vetjak.
Ne jemi përfaqësues për të cilët kanë votuar shqiptarët. Secili këtu sëpaku duhet të respektohet si deputet.
Nuk mund të sillet këtu askush si mësues i dobët që kur nuk i pëlqen pyetja e nxënësit e nxjerr atë jashtë.
Nëse mazhoranca nuk zbaton rregullat kushtetuese ska pse i kërkon ato tek opozita se edhe sikur ajo ti zbatonte, njëanshmëria e përmbys barkën.
Ky është një mekanizëm që njëra pjesë kushtëzon tjetrën.
Une sdi di ti bie bilbilit as nuk kam ndermend të mësoj po kur mohohet një e drejtë themelore është themelore ta mbrosh atë përtej instrumentit që perdoret.
Ligjet, rregullat janë shkruar që Kuvendi të ekzistojë si sallë përballjeje që njerëzit të mos perplasen në rrugë, që konflikti të mos konturojë fizionominë e shoqërisë që dhuna e një individi apo grupi të mos prevalojë mbi atë të ligjit !
Në këtë kontekst Kryeministi dhe askush këtu nuk mund të zgjedhë opozitën që dëshiron dhe as Opozita Kryeministrin e mazhorancën që do, po ky dhe kjo e e fundit ka detyrim kushtetues të përfillë parlamentin, ta respektojë atë, qeveria gjithaaq në mënyrë që debati të konsumohet në brendi dhe formë në kufij demokratik e jo anarkik.
Nuk mund të flitet për proçes integrues nese nuk pranohet opozita si njësi institucionale e si realitet shoqëror.
Mbase duhet rikujtuar fakti që opozita nuk janë vetëm 63 përfaqësuesit e saj në sallë po mbi 730 mijë votuesit e saj dhe familjet e tyre, pra gjysma e Shqipërisë.
Kjo vetëdije duhet t’ju udhëheqë në çdo vendim të nderuar kolegë të mazhorancës dhe jo gara e brendshme e juaj se kush duhet të duket më radikal, më trim, më besnik dhe më i vendosur për të hedhur në erë çdo urë bashkëpunimi e njerzie.
Kësisoj karriera juaj mund të marrë për mbarë po gjendja psikologjike e Shqipërisë merr mrapsht, ajo bëhet depresive.
Në tokën e urrejtjes dhe armiqësisë së vazhdueshme rriten heshta dhe hunj. Asnjë themel stabiliteti nuk hidhet në të.
Në kohët që po na bie për hise të jemi pranë politikës pa e bërë atë, se sfida e violencës i ka zënë vendin arsyet duhet të meditoni mbi një fakt dramatik që shqiptaret po shkojnë nëpërmjet emigracionit të integrohen në Europë pasi po prekin deshtimin për ta ndertuar Europën këtu.
Secili e di që sa më shumë Europë këtu do të thotë më pak sundim, më pak arrogancë, me pak idiotësi, më pak korrupsion dhe mazokizëm politik, por bashkëqytetarët tanë janë në të drejtën e tyre të kenë njësi matëse jetën e tyre e cila nuk mbushet me fjalë.
Ky Parlament ka miratuar shumë ligje europiane ndër vite por ligjet që do duhej të rregullojnë jetën shoqërore nuk ja kanë dalë të rregullojë ligjbërësit që të ndihen europianë, që të sillen si të tillë! Nuk mjaftojnë ligjet për tu ndjere europianë, duhet diçka më shumë.
Shpesh ne kemi bindjen qe jua hedhim europianve, i rrejmë paq, u shesim mend!
Nuk e ndaj sak në ky është superioritet apo inferioritet por përfundimi është që ata nuk na besojnë, nuk na konsiderojnë, nuk na marrin seriozisht dhe na lënë ketu në nahinë tonë, duke i ulëritur e vërshëllyer njëri tjetrit pikërisht në Kuvendin e Republikës si pasqyra më perfekte e dështimeve tona.
Kuvendi fillon e përmbush misionin e vet edhe integrues atëherë kur pranon opozitën, te drejtën e saj dhe heq dorë nga koncepti i unifikimit të partisë pushtet me shtetin.
Në një shoqëri demokratike pushteti nuk është hierarki klerikale që godet vesin në emër të virtytit por pjesë e sistemit etikisht e barabartë me opozitën dhe si e tillë gjykohet nga votuesit, elektorati, shoqëria, opinioni apo drejtësia.
Interpretimet e tjera qoftë për pushtetin apo opozitën janë justifikim për evazionet e karaktereve te cilët do te mbijetojnë përsakohë shoqëria i toleron, ndoshta gjatë.