Në ditën e gjuhës amtare, gazetarja e njohur Anila Jole ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve për kujdesin që duhet të kemi ndaj gjuhës shqipe. Jole i ka përfshirë edhe institucionet shtetërore dhe gazetarët në apelin e saj për vëmendjen që duhet të kenë ndaj gjuhës së bukur shqipe!
Ja çfarë shkruan Anila Jole në statusin e saj në facebook:
“Sot është dita e gjuhës amtare, nje ditë për të tërhequr vëmendjen e të gjithë atyre që po e shkatërrojnë dalëngadalë shqipen, duke futur në të fjalë të huaja, duke i shkurtuar, duke “qethur” gërmën “ë” në fund apo në mes të tyre, duke hequr trajtat e shkurtra, por edhe të akademikëve që ndërrojnë fjalorët e gjuhës në varësi të fituesit në zgjedhje, duke na çuditur me shumësa të tillë fjalësh si “kabuj” për “kabllo”, që vendosin me rregull përdorimin e “gj” në vend të “xh”, e shumë tjera si këto.
Fajtorë ka edhe mes gazetarëve apo edhe në administratën zyrtare që publikon dokumente. Të panxënë ka edhe mes atyre që shkruajnë tabelat treguese, toponimet dhe emrat e rrugëve.
Pa harruar deputetët tanë, të cilët ca nga paratë e tyre duhet t’i shpenzojnë për mësime private abetareje, me shpresen që kur të rriten, ta njohin sadopak gjuhën e mëmës”.
