Për herë të parë një muze shqiptar do të flasë në gjuhën ukrainase. Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, është prezantuar audio-guida në gjuhën ukrainase, ku tashmë turistët ukrainas do të kenë mundësi të marrin informacion mbi veprat, pjesë e koleksionit të këtij muzeu në gjuhën e tyre.
Në këtë aktivitet ka qënë i pranishëm ambasadori i Ukrainës në Shqipëri i cili ka theksuar urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Diplomati Shukrov ka thënë se ky projekt është shtrirë tashmë në më shumë se 50 muze në 33 vende të ndryshme të botës.
“Eventi i sotëm zhvillohet në një vit jubilar kur popujt e Ukrainës dhe Shqipërisë festojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe në kushte shumë të vështira për Ukrainën sepse ajo sot po vuan agresionin rus pothuajse prej një viti.
Projekti për zbatimin e një audio-guide në gjuhën ukrainase në muzetë më të shquar të botës, po kryhet nën kujdesin e veçantë të zonjës së parë të Ukrainës. Ky projekt ka filluar të zbatohet që në vitin 2020. Përpara luftës së Ukrainës, më shumë se 40 audio-guida në gjuhën ukrainase janë prezantuar në muze të ndryshme të botës, sot ka më shumë se 50 të tilla. Aktualisht audio-guida në gjuhën ukrainase egziston në muzetë e famshme të 33 vende të botës.
Tashmë tek kjo listë përfshihet edhe Shqipëria, me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar i cili është i pari në Shqipëri ku do të jetë gjuha ukrainase. Korça është qyteti i preferuar për ukrainasit që jetojnë në Shqipëri. Turistët tashmë do të jenë të interesuar të njihen me ekspozitat e mrekullueshme të këtij muzeu, duke patur mundësi ta dëgjojnë në gjuhën ukrainase, dhe jam i bindur se vizitat në muze do të shpeshtohen tani, ashtu siç jam i bindur për rritjen e numrit të turistëve ukrainas, pas fitores së Ukrainës.
Nuk bëhet fjalë për një mundësi teknike e cila optimizon mundësinë kulturore të njohjes për ukrainasit që do të vizitojnë këtë muze, bëhet fjalë për ndërtimin simbolik të një ure të rëndësishme kulturore e cila do të zgjerojë horizontet e komunikimit kulturor dhe edukativ mes popujve tanë.” ka thënë Volodymyr Shukrov, Ambasador i Ukrainës në Shqipëri.
Kryetari i Bashkisë së Korçës ka vlerësuar këtë nismë duke u shprehur mirënjohës që një muze në Korçë, ka nisur rrugën që pas vitesh do të vijojë edhe në muze të tjera të vendit tonë.
Këtë aktivitet e ka përshëndetur edhe zonja e parë e Ukrainës nëpërmjet një video-mesazhi Olena Zelensky, e cila ndër të tjera, deklaroi se teksa Rusia flet me gjuhën e agresionit, Ukraina do të flasë me Shqipërinë përmes gjuhës së artit dhe kulturës. Një përshendetje për të pranishmit ka ardhur edhe nga zonja e parë e Shqipërisë Armanda Begaj.
Gjatë aktivitetit të prezantimit të audio-guidës në gjuhën ukrainase në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, ka performuar këngëtarja Albana Bajraktari, teksa më pas ambasadori i Ukrainës dhe stafi i tij kanë bërë një tur në ambientet e muzeut.
