Tirana e transformuar ne 103-vjetorin e shpalljes Kryeqyteti i Shqipërisë ishte tema e radhës e rubrikës javore të komunikimit me qytetarët të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në videomesazhin e tij, Veliaj uroi të gjthë kryeqytetasit për këtë përvjetor, teksa tha se sot Tirana po kalon ditët e saj më të mira.
“Sa herë vjen 11 shkurti dhe ne festojmë përvjetorin e Tiranës Kryeqytet ndihem jashtëzakonisht krenar, jo vetëm se jam pjesë e këtij kryeqyteti, kam lindur, jam rritur këtu, por se prej gati 8 vitesh, së bashku me një skuadër fantastike, i përkushtohemi çdo ditë, me shumë pasion, zhvillimit dhe transformimit të Tiranës sonë, e cila çdo ditë ka sfida, por çdo ditë sjell mundësi të jashtëzakonshme! Kush nuk do të ndihej kështu, në një kryeqytet si ky i yni, që kemi sot, i cili po kalon ditët më të mira, që nga koha e ekzistencës së tij”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku permendi disa prej arritjeve vetëm gjatë vitit të fundit i cili, sipas tij, ishte një vit historik: “Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe përveç 1000 aktiviteteve rinore, shenjoi plot suksese të tjera, si organizimi i përkryer i finales së Konferencë Ligës me Romën dhe Fejnordin në Tiranë dhe tifozët respektivë, Festivalin Sunny Hill, apo edhe koncerte si ai i Ermal Metës, Dua Lipës dhe Rita Orës e qindra aktivitete të tjera. E mbyllëm vitin me vlerësimin më dinjitoz që kemi marrë ndonjëherë nga ana politike e diplomatike, ku mes shumë qyteteve europiane dhe ballkanike, Tirana u zgjodh mikpritësja e Samitit të BE, i pari Samit që organizohej ndonjëherë në një qytet jashtë Bashkimit Europian, edhe ky qytet ishte Tirana jonë,” u shpreh ai.
Kreu i Bashkisë theksoi se edhe këtë vit, entuziazmi dhe energjia pozitive vazhdojnë për Tiranën. “Jemi kurorëzuar “Qyteti Europian i Sportit”, ku na presin të tjera suksese historike, jo vetëm për sportin elitar, por edhe për sportin komunitar, për përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha aktivitetet sportive për një jetë të shëndetshme”.