Nga Genci Gjikaj
Pjesa e tretë (e fundit)
Radioloja ‘Liqeni i Vajkalit’/ Roli i Kim Filbi-t
Në mbrëmjen e datës 29 tetor 1952, radisti i grupit mundi të arratisej nga dhomat e izolimit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, së bashku me policin që ishte ngarkuar ta ruante. Kjo ngjarje sillte dështimin e Radiolojes sepse pa agjentin radist ishte e pamundur të vazhdohej. Në mbledhjen analizë të zhvilluar nën drejtimin e Mehmet Shehut Ministër i Punëve të Brendshme, u vendos që të gjendeshin mundësitë për ta vazhduar radiolojën. Ndërsa vazhdonte ndjekja e radistit i cili në një pritë të organizuar nga forcat e ndjekjes u përgjigj me zjarr, Qendra sipas planit paraprak dilte në transmetim dhe kërkonte me insistim të ndërlidhej. Kjo tregonte se Qendra ishte shumë e shqetësuar. Ndërkohë dy të arritisurit po i afroheshim kufirit përmes pyjeve të Martaneshit. Në këtë gjendje emergjente grupi operativ vendos të transmetojë një radiogram që u dërgua nga radisti shqiptar me dorën e majtë:
66-86 Maria
Tahiri ka thy dorën se ash rrëzu. Punon me dorën e majtë. Asht shumë sëmurë. Presim zbarkim në datat 6-8 jo ma vonë se ora 23.00. Presim edhe barna dhe këshilla si me i përdor ato. Lutemi pilotëve me zbarku me kujdes parashutat.
Ndërkohë radisti i arratisur vritet në pyjet e Martaneshit.
Pas dërgimit të radiogramit radisti i Qendrës transmeton gërmat “A S”, që do të thoshin ndërpreje e transmetimit. Sigurisht që ai e kishte kuptuar se nuk ishte e njëjta dorë dhe kishte njoftuar eprorët e tij.
Megjithë dyshimet e vazhdueshme të Qendrës për gjendjen e agjentëve të saj ajo e vazhdoi komunikmin duke kërkuar informacione të ndryshme por edhe duke vënë në provë vëretësinë e këtyre informacionave. Në vijim grupi operativ i Sigurimit të Shtetit vendosi që të kërkojë ardhjen e një radisti tjetër meqenëse “gjendja” e Tahirit ishte e rëndë dhe nuk mund të vazhdonte detyrën. Dërgimi i agjentit radist u zvarrit shumë edhe për shkak të kushteve të këqija atmosferike të janarit të vitit 1953 që e bënin të pamundur fluturimin e avionit. Më në fund koha u përmirësua dhe Qendra ra dakort që ta desantonte radistin në Stanet e Linosit që i ishte propozuar nga grupi i agjentëve nën komandimin e Sigurimit të Shtetit, madje duke caktuar edhe datën e orën. Radisti zbriti shëndoshë e mirë në tokë dhe u arrestua menjëherë nga grupi operativ.
Ai ishte Ahmet Kabashi i cili u mor në pyetje dhe dëshmoi për detyrat që i qenë ngarkuar nga Qendra. Kabashi pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit për të vijuar radiolojën.
Radiogrami i parë që duhet të transmetonte dhe që do të thoshte se gjithçka shkonte mirë duhet të niste me fjalët “Bora filloi”. Në seancën e parë të ndërlidhjes që bëri radisti i porsadërguar iu transmetua Qendrës radiogrami që niste me parrullën “Bora filloi”:
66-1 Gur-Gur
“Bora filloi. Radisti mbrriti mirë. Muarën dy parashuta. Falenderojmë pilotët për zbarkimin e mirë”. 8 8 8
Pas një pritjeje plot shqetësim Qendra kthen përgjigje pozitive pra parrulla “Bora filloi” ishte e saktë. Sipas Shantos “dukej se Qendra ishte qetësuar, “kriza e dytë e besimit” ishte tejkaluar dhe besimi ishte rivendosur, kushte këto që jepnin mundësinë për të vazhduar më tej me sukses radiolojën “Liqeni i Vajkalit”.
Një nga sukseset më të mëdha të kësaj radioloje sipas historiografisë komuniste ishte arrestimi i Hamit Matjanit një prej përfaqësuesve kryesore të rezistenëcës antikomuniste. Më një formim dhe karrierë ushtarake Matjani pas fitores së komunistëve në vitin 1944 kalon në ilegalitet në krye të një grupi të armatosur duke vazhduar aktivitetin e tij. Pasi plagoset rëndë në vitn 1947 ai kalon në Greqi. Më pas futet gjashtë herë në Shqipëri në ilegalitet duke kryer aktivitet kundër pushtetit komunist me qëllim dobësimin dhe destabilizimin e tij. Së bashku me të Qendra do të dërgonte edhe dy agjentë të tjerë për ta shoqëruar.
Sipas njoftimeve të Qendrës në datën 1 maj 1953 në orën 21 grupi operativ u vu në pritje të Hamit Matjanit në fushën e “Gurit të vashës”. Pas desantimit ata arrestohen pa mundur të bëjnë qëndresë. Matjani merret në pyetje nga organet e sigurimit dhe i kërkohet parrulla provë që duhet t’i dërgohej Qendrës për ta lajmëruar se gjithshka shkon normalisht. Ai tha se nuk i ishte dhënë asnjë parrullë provë, dhe megjithëse Sigurimi Shqiptar dyshoi në fjalët e tij koha i dha të drejtë, atij nuk i ishte dhënë asnjë parrulë provë. Detyra e tij kryesore ishte shoqërimi dhe sigurimi i kalimit të kufirit me Greqinë së bashku me kryeatrin e grupit Zenel Shehu.
I gjithë “udhëtimi” imagjinar i grupit drejt kufirit me Greqinë ishte pjesë e vazhdimit të radiolojës. “Liqeni i Vajlkalit”. Tashmë kishin kaluar 16 muaj që nga nisja e saj dhe Sigurimi i Shtetit kishte marrë vendimin për ta përfunduar atë meqenëse synimit ishin arritur plotësisht. Të vërtetën për grupin e Zenel Shehut Qendra do ta mësojë nga komunikata e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila u publikua në janar të vitit 1954, ku thuhej se agjentët ishin arrestuar sapo kishin hyrë në Shqipëri dhe se do të gjykoheshin në një gjyq të hapur.
Gjyqi kundër Zenel Shehut dhe pesë anëtarëve të tjerë përfshirë edhe Hamit Matjanin u zhvillua në prill të vitit 1954, në Kinemanë e Brigadave në Tiranë. Gjyqi ishte i hapur dhe të gjitha senacat transmetoheshin nga Radio Tirana për të infromuar sa më gjerë opinion publik jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij.
Eshtë një fakt interesant se ditën e fundit të gjyqit një aeroplan i huaj fluturoi në mesditë ulët mbi Tiranë duke shpërndarë fletushkën “Shqipëria”, në të cilën personat që po gjykoheshin në kundërshtim me propogandën komuniste cilësoheshin si “heronj nacionalistë të cilët populli duhet t’i nderonte”.
Sipas historiografisë komuniste radioloja “Liqeni i Vajkalit” është veprimtaria më e suksesshme që kundërzbulimi shqiptar ka zhvilluar kundër shërbimeve secrete të huaja gjatë periudhës 1945-1990. Kjo vlerë rritet po të kihet parasysh se është zhvilluar kundër CIA-s, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga shërbimet sekrete më të fuqishme me potenciale shumë të mëdha. Gjatë 16 muajve që vazhdoi radioloja u shkëmbyen me Qendrën e CIA-s në Greqi, Athinë, 302 radiograme, 209 prej të cilave iu transmetuan atyre nga grupi operativ i kundërzbulimit që drejtonte radiolojën, ndërsa 93 radiograme u morën prej Qendrës. Ndrërkohë në duart e sigurimit shqiptar ranë një sasi e madhe armatimi, municionesh, rreth 12 radio transmetuese si edhe një shumë e madhe parash në monedha floriri.
Roli i Kim Filbi-t
Një nga çështjet më të diskutuara të kësaj radioloje është roli i mundshëm i agjentit të shquar Kim Filbi, i cili për një kohë të gjatë punoi si infilitruar nga KGB-ja në organet me të larta të shërbimit të fshehtë britanik MI 6. Kjo hipotezë është artikuluar sidomos pas vitit 1990-të, me arsyetimin se Shqipëria në vitet 50-60 ishte pjesë e kampit socialist nën udhëheqejen e Bashkimit Sovjetik, dhe këshilltarët e specialistët sovjetik ishin të pranishëm në të gjtha hallkat shtetërore përfshirë edhe Sigurimin e Shtetit. Për pasojë informacionet e mundshme që Filbi u ka transmetuar sovjetikëve, përkatësisht KGB-së, mund të kenë përfshirë edhe dërgimin e grupit të Zenel Shehut.
Pra Sigurimi i Shtetit shqiptar ka qenë në dijeni paraprakisht prej informacioneve që mund të kenë ardhur nga zbulimi sovjetik. Një tezë e tillë duket krejt logjike, por sipas pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në radiolojën “Liqeni i Vajkalit”, mes të cilëve Pilo Shanto, kjo tezë nuk qëndron. Radiloja është plotësisht organizim dhe drejtim i kundërzbulimit shqiptar. Sipas tij në kohën kur u përgatit dhe filloi ky operacion organet e Sigurimit të Shtetit nuk kishin lidhje me KGB-në. Ato u vendosën dhe u intensifikuan më vonë, kur në drejtimin e çdo sektori përfshirë edhe sigurimin e shtetit ishte edhe një këshilltar sovjetik.
Një fakt tjetër ka të bëjë me ativitetin e vetë Kim Filbit, i cili gjatë periudhës 3 korrik 1952-20 tetor 1953, kur u zhvillua radioloja “Liqeni i Vajkalit”, nuk ishte më në Washington nga drejtohej veprimtaria kryesore antikomuniste në Shqipëri. Siç shprehet vetë Filbi në librin “Lufta e heshtur”, në qershor të vitit 1951 pra një vit e gjysmë më parë “Më përzunë nga MI 6”, i dyshuar nga FBI si agjent i KGB-së. Më vonë Filbi kthehet në Londër dhe vihet në ndjekje nga MI 5-kundërzbulimi anglez. Në këtë rrethana Filbi nuk kishte mundësi të kishte informacion nëse vazhdonte apo jo operacioni dhe si po zhvillohej ai.
Këto janë tre lojërat e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në periudhën e komunizmit kundër zbulimeve të huaja, të cilat ende edhe sot vazhdojnë të paraqesin interes për mënyrën e organizmit, rrethanat historike dhe detajet e funksionimit. Ndërkohë ka një rëndësi të posaçme qasja sa më pranë së vërtetës, duke shkundur “lavdinë ideologjike” dhe “mitizimin heroik” të artikuluar dendur gjatë viteve të komunizmit.
- “Vallëzim me hënën” i shkrimtarit Namik Dokle prezantohet në tre qytete të Spanjës (Madrid, Cadiz dhe Benalmádena) - 09/06/2025
- Gjermania do të ndryshojë rregullat për shtetësi dhe bashkime familjare! Preken edhe shqiptarët - 28/05/2025
- Problemet me energjinë prekin Kanën, jugu i Francës në kaos dhe në errësirë totale - 24/05/2025