Gazetari Elvis Hila është dhunuar në Lezhë nga dy persona. Sipas kallëzimit të vetë gazetarit në polici kjo ka ndodhur për shkak të detyrës, gjë të cilën e konfirmon edhe policia.
Blutë e Lezhës sqarojnë se ngjarja ka ndodhur sot (25 janar) rreth orës 16:40, ku dy personat i kanë dalë përpara gazetarit dhe e kanë dhunuar. Në këto momente ka ndërhyrë edhe bashkëshortja e tij, e cila edhe ajo është dhunuar fizikisht.
Dy autorët e dyshuar janë shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia pas denoncimit të gazetarit.
Për ngjarjen ka reaguar dhe presidenti i Republikës Bajram Begaj, I cili në një postim në profilin e tij në facebook ka kërkuar hetim dhe zbardhje sa më të shpejtë të saj.
“Dënoj me forcë dhunimin e gazetarit të Report TV në Lezhë, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Tek sa i uroj një shërim të shpejtë zotit Hila dhe bashkëshortes, inkurajoj institucionet shtetërore përgjegjëse të hetojnë dhe zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje. Cënimi i fjalës së lirë, presioni dhe mbi të gjitha dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme në një shtet demokratik!”, përfundon mesazhi i presidentit Begaj.