Bashkia e Tiranës miraton bursat për rreth 1500 nxënës ekselentë. Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak, Veliaj tha se këta nxënës janë vlerë për qytetin.
“Vërtetë në një qytet me një milion banorë janë një përqindje e vogël, por edhe majaja që fryn bukën e vogël. Nuk na duhen miliona me dhjeta. Ne këta 1206 na duhen sepse janë një shpresë shumë e madhe për qytetin”.
Për kryebashkiakun Veliaj ka ardhur koha që t’i bëhet kundërofensivë anti-kulturës me dije dhe arsim.
“Shpresoj që edhe në këto rrjetet sociale t’i promovoni dhe t’i inkurajoni. Jemi munduar edhe në tabelat e Tiranës. Fatkeqësisht e kemi akoma një debat në 2023 se çfarë konsiderohet sukses. Ai i forti i lagjes, ai që merret me punë të pista, ai që tregon lukse të pajustifikuara apo ai që mëson fort dhe punon dhe është vullnetar dhe kontribuon në shoqëri. Dua që të kemi një kundër ofensivë të anti-kulturës, me kulturë, me dije dhe me arsim dhe ndaj këto janë shumë të çmuar për ne”.
Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak u miratua edhe lista me familjet që përfitojnë bonus qiraje për të paktën 1 vit.