Në qarkun e Korçës ka patur reshje shiu gjatë pasdites dhe kryesisht gjatë natës dhe në lartësitë mbi 1300 m ka rënë dëborë, por pa krijuar problematika.
Firmat kontraktore kanë monitoruar akset kryesore nacionale dhe ato turistike duke bërë pastrimin dhe kriposjen e tyre.
Burime zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar sektori Korçë, bëjnë me dije se të gjitha akset nacionale e turistike të juglindjes janë plotësisht të kalueshme dhe pa probleme.
Edhe rrugët dytësore dhe ato lidhëse në bashki janë të kalueshme dhe pa problematika, sipas informacionit të marrë nga strukturat e Emergjencave Civile të bashkive.
Pavarësisht problematikave të ditëve të fundit, këtë të mërkurë segmenti rrugor Shtyllë-Panarit është i hapur, pas punës së bërë për pastrimin me borëpastruese nga ana e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike bashkia Korçë.
Për drejtuesit e automjeteve, përsëri rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore në segmentin Boboshticë-Dardhë.
Reshjet kanë qenë me intensitet të ulët për rrjedhojë niveli i lumenjve dhe i degëve të tyre furnizuese, mbetet ende në kuota normale.
Gjithashtu nuk raportohen probleme sa i përket furnizimit me energji elektrike në fshatrat e njësive malore të qarkut të Korçës.

- Cili do ta fitojë i pari luftën, Bordi i Paqes apo Bordi i Transparencës?! - 31/03/2026
- Nga Moglica tek linja me Kosovën, tre projektet energjetike që Shqipëria çon tek BE-ja për financim - 17/03/2026
- “Jemi të gatshëm për bashkëpunim me Trump”, Macron ndryshon qëndrimin për Ngushticën e Hormuzit - 17/03/2026