Andi Bushati thotë se arrestimi i ish-zyrtari të FBI pasi është paguar ose kanë lobuar pranë tij njerëz që donin t’i zbuteshin sanksionet amerikane, tregon se ai ka qenë pjesë e mekanizmit non grata.
Sipas Bushatit, nuk përjashtohet mundësia që ish-zyrtari i FBI të jetë paguar nga kryeministri Edi Rama që të ndikojë në shpalljen non grata të Sali Berishës.
“Kur ky njeri paska në dorë të zbusë sanksione, merrka para për të zgjidhur çështje, pse mos të mendojmë edhe të kundërtën; siç mund të zbardhë edhe të nxijë dikë në këmbim të parave.
Paratë i ka marrë nga Tirana, ndoshta i ka marrë paratë për të shpallur non grata Vangjush Dakon, Tom Doshin apo Sali Berishën.
Kush i intereson Ramës të shpallet non grata? 225 mijë dollarë janë zbuluar, ne s’e dimë sa ka marrë, mund të ketë marrë edhe 2 mln euro”, tha Bushati.
Ai deklaroi se në aktakuzën për ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, thuhet se ky i fundit është paguar për të hetuar një parti politike në Shqipëri.
Bushati u shpreh se kjo vërteton faktin që kryeministri Edi Rama ka paguar për të goditur ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Ajo u kuptua qartë, e ke në aktakuzë. Ai thotë, u pagua për të hetuar një parti, nuk thotë PD-në, një parti kundërshtarë të kryeministrit. E para, çfarë vërteton kjo? Vërteton se këta nuk janë të interesuar të godasin një parti, ata thjesht kanë qenë korrierët e njeriut që është në politikë dhe do të godasë një kundërshtar.
Pra, që këtu Rama implikohet. Fakti që do të godasësh një kundërshtar tjetër politik, këtë e bën vetëm një politikan”, theksoi ai.
Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë arrestimit ditën e djeshme të ish-zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal.
Ndaj McGonigal janë ngritur akuza për shkak se ndihmoi një oligark rus, duke shkelur sanksionet amerikane. Ai bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.
Departamenti i Drejtësisë thotë se ai gjithashtu fshehu nga FBI-ja detajet e një udhëtimi që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me një ish-zyrtar të shërbimeve shqiptare të zbulimit, i cili i kishte dhënë 225 mijë dollarë.
Bushati deklaroi se nga sot, kryeministri Edi Rama është i trembur, ndryshe nga asnjëherë tjetër.
Duke iu referuar statusit të Ramës pas arrestimit të ish-zyrtarit të FBI-së, ai u shpreh se kreu i qeverisë nuk e di se çfarë provash mund të kenë të tjerët për të.
“Unë, në këndvështrimin tim modest mu duk më i paqetë se kurrë. Pse? Edi Rama që njoh unë dhe besoj se njihni dhe ju, është ai që zihet me fansat e Facebook-ut. Pra, kur dikush e shan, e kritikon në Facebook, ai kthehet me fjalime të gjata.
Thelbi i statusit që kishte bërë, ishte i një njeriu që nuk e di se çfarë provash kanë të tjerët për të. Prandaj, rezervohet për të mos folur. Thelbi është, unë nuk dua të flas”, theksoi ai.