19.5 C
Tirana
14 / 07 / 2025

Vijojnë reshjet e dëborës në juglindje/ Bllokohet për herë të tretë aksi rrugor Shtyllë-Panarit

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat malore të juglindjes së vendit. Gjatë natës në qarkun e Korçës reshjet më të dendura kanë qënë në zonën e Vithkuqit, Dardhës, Voskopojës dhe Lekasit.

Reshjet kanë krijuar përsëri probleme në aksin rrugor Shtyllë-Panarit, pasi në Majë të Mashkullorës bëjnë me dije burime zyrtare trashësia e borës së rënë gjatë 24 orëve të fundit ka shkuar deri në 30 cm, duke bllokuar për herë të tretë rrugën drejt fshatit Panarit.

Në kushte të tilla është dashur edhe njëherë ndërhyrja e borëpastrueses së ndërmarrjes së shërbimeve publike të bashkisë Korçë, për të rihapur aksin nga Shtylla deri në fshatin Panarit.

Burime zyrtare bëjnë me dije se nga dëbora e orëve të fundit nuk ka pasur probleme në rrugët nacionale të qarkut juglindor, po ashtu edhe rrugët e fshatrave turistikë të Dardhës e Voskopojës të cilat kanë qënë të kalueshme dhe pa probleme. Ndërkohë që edhe aksi Voskopojë-Lekas është i kalueshëm.

Për drejtuesit e automjeteve që do të përdorin segmentin Boboshticë-Dardhë rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore.

Gjithashtu nuk raportohen probleme përsa i përket qarkullimit edhe në fshatra të tjerë malorë të juglindjes së vendit.

Gjatë orëve të natës ka pasur shkëputje të herëpashershme të energjisë elektrike në fshatrat e zonave të thella, gjë e cila ka ardhur për shkak të reshjeve të dëborës shoqëruar me erëra të forta.

Kryesisht shkëputje të energjisë elektrike ka pasur në fshatrat e Vithkuqit dhe Lekasit në bashkinë e Korçës dhe fshatra të njësisë administrative Gorë në bashkinë e Maliqit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x