Normalizohet situata me furnizimin me energji elektrike në juglindje të vendit. Si shkak i reshjeve të shiut të shoqëruara me erëra të forta gjatë ditëve të fundit, janë shkaktuar probleme të shumta në linjat e furnizimit me energji elektrike, duke lënë pa energji fshatra të tërë në të gjitha bashkitë e qarkut të Korçës.
Ndërkohë këtë të premte situata është normalizuar, duke rikthyer energjinë elektrike në pjesën më të madhe të fshatrave, kryesisht të njësive malore të qarkut juglindor, të cilat prej ditësh vuanin mungesën e energjisë ose shkëputje të herëpashershme të saj.
Sipas Prefekturës Korçë, mëngjesin e sotëm ka patur defekte sporadike në fshatrat Jollë dhe Kodras të bashkisë Pogradec, në Peshtan të Kolonjës, në bashkinë Devoll në fshatin Çipan, si dhe në fshatra të njësisë administrative Vithkuq në bashkinë Korçë.
Grupet e punës së OSHEE-së dhe Agjencitë Elektrike në rrethe kanë qënë gjatë gjithë kohës në terren për riparimin e këtyre defekteve.
Pas ndërhyrjeve të tyre situata është përmirësuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme. Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e OSHEE-së, bëjnë me dije se aktualisht mungesë të energjisë elektrike ka vetëm në fshatin Çipan në bashkinë Devoll.