Ditën e sotme do të zhvillohet takimi mes SHBA dhe aleatëve për të koordinuar një tjetër ndihmë ushtarake që do t’i shkojë Ukrainës. Takimi do të jetë në bazën ushtarake të SHBA në Gjermani, Ramstein. Uashingtoni autorizon armë të tjera me vlerë 2.5 miliardë dollarë për Kievin, teksa do të përfshihen 90 transportues të blinduar të personelit Stryker dhe 59 automjete Bradley.
“Ukraina ka nevojë për tanke, është çelësi për t’i dhënë fund luftës. Mos u dridhni para Putinit”, tha Podolyak, këshilltari kryesor i Zelensky. Ndërkohë, Zelensky ngre pretendime serioze për shëndetin e presidentit rus duke thënë se nuk është plotësisht i sigurt se Putini është gjallë dhe merr vendime. “Rusia dhe Putini ekzistojnë dhe do të ekzistojnë”, përgjigjet Kremlini.
Me furnizimet me armë nga paketa e re e ndihmës, Ukraina do të mund të përballet me sulmet ruse dhe ndoshta të fitojë territore të reja dhe të ndikojë në fundin e luftës që nisi rreth një vit më parë. Nga ana tjetër, SHBA është e bindur që Krimeja është territor që i përket Ukrainës.
“Krimea është një pjesë integrale e Ukrainës dhe Kievi ka çdo të drejtë ta marrë atë. Ukrainasit vendosin në mënyrë të pavarur dhe sovrane”. Kështu tha në një konferencë zv.zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh.