Akil Nerjaku, i njohur si i përfshirë i bandës së Durrësit është arrestuar me urdhër të SPAK gjatë ditës së djeshme kur u ushtrua kontroll në banesën e Ramazan Rrajës. Nerjaku ishte shënjestra e një atentati me snajper në Durrës në shtator të vitit 2022 që nuk la asnjë të lënduar.
Akil Nerjaku, i cili vu në pranga ditën e djeshme gjatë kontrollit të banesës së Ramazan Rrajës, ishte shënjestër e një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, por që arriti t’i shpëtojë pa lëndime. Rreth orës 12:00 të 12 shtatori në lagjen numër 13 në rrugën ‘Pavarësia’ u qëllua një herë me snajper në drejtim të një automjeti në pronësi të një 52-vjeçari me banim në Maqedoninë e Veriut.
Në të njëjtin moment dhe në të njëjtin vend ku ishte parkuar makina, ishte duke lëvizur me automjet Mercedez Benz një person me precedentë të theksuar kriminal, Akil Nerjaku që ishte nën shoqërinë e nipi i një ish-ministri të Partisë së Lirisë.
Bashkëpunëtori i drejtësisë që dyshohet të ketë sjellë arrestimin e 5 personave mendohet të jetë Nuredin Dumani. Ka edhe të tjerë që i janë bashkuar drejtësisë duke rrëfyer ngjarje kriminale, por nuk është konfirmuar ende një emër konkret.
SPAK pritet të dalë në një deklaratë për media që të japë detaje nga operacioni i kontrollit në banesën e Ramazan Rrajës.