Kur të fillojë sesioni i ri i Kongresit amerikan, ligjvënësja demokrate nga Ohajo, Marcy Kaptur do të bëhet gruaja që ka shërbyer më gjatë në historinë e Kongresit. Megjithatë, edhe pas 40 vjetësh, ajo thotë se ndonjëherë i duket vetja si e huaj.
Marcy Kaptur ka përfaqësuar për 40 vjet një distrikt të populluar nga njerëz të klasës punëtore në Ohajo–njerëz që shumë kolegë të saj i kanë harruar.
“Është një barrë që e kam mbajtur gjatë gjithë karrierës sime. Është problem në të dyja partitë, sepse udhëheqja ka prirjen të vijë nga zonat më të zhvilluara të Amerikës dhe ne këtu në pjesën qendrore të vendit nuk kuptohemi sa duhet”, thotë ajo.
E zgjedhur për herë të parë në Kongres në vitin 1982, ligjvënësja Kaptur do të vendosë rekordin si ligjvënësja grua që ka shërbyer për periudhën më të gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve ose Senatit, e duke lënë pas ish-senatoren Barbara Mikulski, një demokrate nga Merilendi, e cila doli në pension në fund të vitit 2017.
Ligjvënësja Kaptur i kupton mirë shqetësimet e klasës punëtore. Nëna e saj ishte organizatore sindikatash në një fabrikë në Toledo dhe babai i saj kishte një dyqan ushqimor në lagje. Kaptur, 76, jeton ende në shtëpinë modeste njëkatëshe ku u rrit.
Gjithmonë e gatshme për të sfiduar drejtuesit e partive, zonja Kaptur është anëtare në Komisionin që përcakton fondet për financimin e qeverisë në Dhomën e Përfaqësuesve, por ajo kurrë nuk është ngjitur në poste drejtuese në Kongres.
“Kongresi, në vend që të jetë një institucion legjitim debati, është bërë një teatër që njerëzit e përdorin për të luajtur me median dhe ndodhin gjëra që nuk do të kishin ndodhur kurrë më parë kur kishte debate private. Tani kemi njerëz që luajnë para kamerave”, thotë
Ajo dhe demokratët nga pjesa qendrore e vendit janë ankuar se partia e tyre favorizon ata që vijnë nga zonat e pasura të vendit. Pas zgjedhjeve afatmesme në nëntor, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve zgjodhën drejtuesit e rinj dhe pesë më kryesorët vijnë nga Nju Jorku, Kalifornia, Masaçusets dhe Karolina e Jugut.