Një ndihmë e re armësh amerikane për Ukrainën do të përfshijë rreth 50 automjete luftarake “Bradley”, thanë të enjten dy zyrtarë amerikanë.
Të mërkurën, presidenti Joe Biden tha se dërgimi i automjeteve luftarake “Bradley” në Ukrainë po shqyrtohet për të ndihmuar vendin që po lufton kundër agresionit rus.
Paketa më e fundit e sigurisë për Ukrainën pritet të konfirmohet të premten, thanë zyrtarët që folën në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Automjeti i blinduar që ka një armë të fuqishme, i prodhuar nga “BAE Systems”, ka qenë një nga pajisjet kryesore i përdorur nga Ushtria e SHBA-së për të transportuar trupa nëpër fushat e betejës, që nga mesi i viteve 1980.
Ushtria amerikane ka mijëra “Bradley”, të cilat mund t’u japin ukrainasve më shumë fuqi në fushën e betejës. Vendimi i administratës Biden, megjithatë, nuk përfshin dërgimin edhe të tankeve “Abrams” në Ukrainë, një gjë që është kërkuar nga ukrainasit.
Në fund të muajit të kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i tha Kongresit të SHBA-së se ndihma amerikane prej dhjetëra miliarda dollarësh për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus nuk është bamirësi, por një investim në sigurinë globale.