Historia po shkruhet ndryshe në Capitol Hill. Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA shtyu mes rrëmujës zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi dështoi tre herë rresht.
Bëhet fjalë për një zhvillim të pazakontë, pasi kryetari i Dhomës zakonisht votohet që në raundin e parë. Një dështim i tillë nuk verifikohej në shekuj.
“Asnjë person nuk ka marrë shumicën e votave të hedhura nga ligjvënësit dhe rrjedhimisht kryetari nuk është zgjedhur”, tha Cheryl Johnson, funksionare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Republikani Kevin McCarthy, kandidati lider për të zëvendësuar Nancy Pelosin, thotë se nuk do të dorëzohet dhe se do të vazhdojë të luftojë për aq kohë sa të duhet derisa të tejkalojë grupin e mbështetësve të Donald Trump, që refuzojnë të japin votën.
Roli i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve është ndër më të rëndësishmit në politikën amerikane. Pa të është e pamundur që të betohen anëtarët e rinj, emërimi i kryetarëve të komisioneve dhe vijimësia e politikave bazë.
Dhoma e Përfaqësuesve do të mblidhet sërish për një raund tjetër.