Teksa nuk na ndajnë shumë orë nga ndërrimi i viteve, gazetari Ben Blushi ka sjellë një tablo të situatë në vendin tonë.
Përmes një analize në “Facebook” Blushi e krahason Shqipërinë me një anije që lundron në detin Adriatik, ndërsa nuk shpreh optimizëm për vitin e ri që po vjen, 2023-shi.
MESAZHI I BLUSHIT
VITI 2023
Imagjinoni sikur jeni mbi detin Adriatik dhe filmoni vazhdimisht një anije që është nisur 30 vjet më parë nga bregu lindor për të shkuar në Perëndim.
Është Shqipëria.
Shqipëria i ngjan një anije e cila është nisur por nuk po mbërrin në destinacion. Gjatë këtij udhëtimi që mund të zgjasë edhe 40 vjet, pra edhe 10 vjet të tjera, kanë ndodhur shumë gjëra siç ndodh zakonisht në çdo anije kur marinarët janë të varfër, të pamësuar dhe ku komanda ndryshon shpesh për shkak të betejave të brendshme.
Ka ndodhur që anijen e ka drejtuar dikush, i cili e ka kthyer timonin në drejtime të tjera dhe kjo fatkeqësi, që është përsëritur e ka shtyrë mbërritjen edhe më shumë.
Por grindjet e brendshme, nuk kanë qenë përherë paqësore.
Një herë pasagjerët dhe marinarët u ndanë keq në dy grupe dhe morën armët kundër njëri- tjetrit siç ndodh shpesh nëpër filmat me piratë, kur palët bëjnë luftë mbi kuvertë apo ca të marrë ngjiten nëpër direkë dhe shqyejnë velat duke u hedhur nga lartësitë e qiejve mbi kokat e kundërshtarëve, të cilët deri dje i kishin shokë.
Kur kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi, në vitin 1997, anija e Shqipërisë u dëmtua shumë rëndë nga të shtënat, nga rrëmbimet, nga zjarret, nga dhuna dhe kaosi saqë lundrimi u bë i pamundur dhe Shqipëria ndaloi. Atëherë u desh që nga Perëndimi të vijnë anije të tjera për ta ndihmuar të riparohet dhe të rinisë udhëtimin, që ende vazhdon.
Sot që flasim anija me emrin Shqipëri, që sipas kalendarit të portit ka lënë brigjet shqiptare në datën 8 dhjetor 1990 vazhdon lundrimin duke kaluar dallgë të vogla por herë pas here edhe të mëdha që vijnë nga vetë Perëndimi ku ajo përpiqet të shkojë.
Në jetën e detrave vetëm Odisea ka lundruar pothuajse kaq gjatë. Udhëtimet e tij zgjatën 25 vite. Por aventurat e Odiseut ishin më të lehta dhe shpesh shumë të bukura. Kurse Shqipëria, ka pësuar humbje të mëdha. Në 30 vjet, më shumë se një e treta e pasagjerëve dhe marinarëve e kanë braktisur anijen. Shumë të tjerë kanë vjedhur ushqimet dhe sendet dhe me varka të vogla i kanë ccuar nëpër shtëpi. Një pjesë e madhe sot janë të lodhur apo janë plakur dhe besimi se Shqipëria do mbërrijë ndonjëherë në Perëndim i ka lënë me kohë. Aktualisht në anije shumica është e palumtur. Udhëtimi ka qenë i gjatë dhe shumë i ngadaltë. Ata që ishin fëmijë kur Shqipëria u nis, sot janë burra dhe gra që duhet të bindin çdo ditë fëmijët e tyre, të kenë dhe pak durim dhe mos ikin me not, për ta lënë anijen. Pleqtë janë shtuar dhe nevojat e tyre për kujdes, shërim dhe ilace i marrin buxhetit të përbashkët shumë energji dhe po aq kohë. Gjithmonë e më pak fëmijë lindin në anije duke rritur dyshimet se, kur Shqipëria të arrijë në Perëndim, numri i udhëtarëve të saj do jetë edhe më i vogël nga ç’është sot.
Tani që flasim moti është i mirë, përreth anijes janë shtuar jahtet dhe varkat me vela, në përgjithësi ushqimet dhe kënaqësitë teknologjike nuk mungojnë, tregtarët e lindjes sjellin mallra dhe blejnë erë, nga Perëndimi janë shtuar delegacionet që premtojnë mikpritje, e me pak fjalë gjërat nuk duken keq. Ai që mungon është besimi. Dhe sigurisht lumturia e pasagjerëve. Ata kanë kohë që nuk janë të lumtur. Rrinë në kuvertë kur është kohë e mirë dhe duke parë yjet mendojnë se ajo që vjen nuk dallon shumë nga ajo që po ikën. Numërimi i viteve në këto raste bëhet i kotë. Numrat e viteve të fundit kanë qenë me shumë dysha dhe është e vështirë të dallosh njërin nga tjetri.
Edhe viti 2023 që hyn për pak nuk pritet të sjellë ndonjë gjë ndryshe nga 2022 apo 2021. Kështu mendojnë udhëtarët, kështu mendoj dhe unë. Nëse do duhej të bëja një udhëtim në të ardhmen, pra në vitin 2023 nuk kam çfarë parashikoj sepse shumë pak ka për të ndodhur. Anija nuk do lundrojë shumë shpejt sepse ata që duhet të vozisin janë të lodhur, por për fat nuk do ndalojë sepse ata që duan ta ndalojnë janë edhe më të lodhur dhe taktikat e tyre të frenimit janë vjetëruar.
Unë po përpiqem ta shoh Shqipërinë nga lartësitë e qiejve të Adriatikut duke matur shpejtësinë e lundrimit dhe trajektoren, pra drejtimin, sepse nuk dua ta ul syrin e kamerës më poshtë mbi ndodhitë e jetës e përditshme , konfliktet, grindjet, vjedhjet, tradhtitë, divorcet, pusitë, blerjet, shitjet, shtypjet, grabitjet, vrasjet, zbrazjet, trafiqet dhe kontrabandën që bëjnë varkat e vogla çdo natë, apo mitingjet dhe protestat të cilat të gjitha bashkë mbushin ditët dhe netët e një anije që megjithatë lundron. Duke ndjekur në mënyrë të imët gjithshka ndodh në Shqipëri gjatë një dite, apo gjatë një viti dhe që janë ato që përshkrova më lart natyrisht bëhesh pesimist.
Ne sot mendojmë se jetojmë më keq se ç’duhet dhe shumë më keq se ç’e meritojmë. Prandaj jemi të palumtur. Edhe popujt e tjerë në Europë nuk janë të lumtur. Europa sot, sipas statistikave të veta, është kontinenti më pesimist në botë. Ajo nuk shkëlqen si përpara 30 vitesh dhe dielli i saj i ngroh më pak popujt, përfshi edhe ne.